Aborti del në krye të fushatës së zgjedhjeve të nëntorit

Për një gjë bien dakord të gjithë politikanët amerikanë. Pas tre javësh votuesit do jenë përballë një vendimi të rëndësishëm.

“Jemi vetëm 22 ditë larg zgjedhjeve, nga më të rëndësishmet, për nga pasojat që do kenë në historinë tonë, ose të paktën në historinë e kohëve të fundit, ku zgjedhja është e qartë, sidomos kur vjen fjala tek e drejta për abort”, tha Presidenti Joe Biden.

 

Sondazhet e fundit e rendisin abortin në krye të çështjeve që do të nxisnin amerikanët t’i drejtohen kutive të votimit në fillim të nëntorit për të zgjedhur 470 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.

 

Shumica e demokratëve janë kundër vendimit të muajit qershor të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, që rrëzoi të drejtën kushtetuese për abort duke ia lënë në dorë shteteve në mënyrë individuale të ndalojnë ose jo procedurën.

 

Të martën, Presidenti Biden tha se nëse demokratët fitojnë shumicën, ai do të firmosë për të mbrojtur me ligj vendimin historik që mbron të drejtën e abortit.

 

Në përgjithësi republikanët duan të kufizojnë ose heqin fare të drejtën për abort.

 

Ne do të punojmë fort për të mbrojtur qëndrimin tonë , për të mbrojtur sa më shumë jetë që të mundemi. Por edhe nëse një një shtet e lejon abortin, mendoj se në një të ardhme të afërt, aborti do të jetë një proces i paimagjinueshëm dhe gratë nuk do të abortojnë edhe nëse do e kenë këtë mundësi”, tha Carol Tobias, Presidente e Komitetit për të Drejtën e Jetës.

 

Kjo është një çështje që ka patur peshë kryesore në disa gara, sikurse gara e ngushtë për Senatin, në Xhorxhia.

 

Ju e dini çfarë është aborti. Ju e dini që unë jam i krishterë. Unë besoj tek jeta. Dhe u them sot se shteti i Xhorxhias e respekton jetën. Si senator unë do të mbroj jetën”, tha kandidati republikan për në Senat, Herschel Walker.

 

Walker ka hedhur poshte akuzat se ai ka paguar ish të dashurën e tij që të kryente abort në vitin 2009.

 

Sondazhet tregojnë se rreth dy të tretat e amerikanëve mbështesin të drejtën e abortit, por anketuesit nuk janë të sigurtë nëse kjo çështje do të jetë përcaktuese në zgjedhje.

 

Kjo ëshë pyetja 1 milion dollarëshe. Dimë se gjatë verës, e drejta e abortit u kthye në një çështje të nxehtë për demokratët. Më shumë se gjysma e votuesve demokratë kanë thënë se do të nxiten për të marrë pjesë në votim për shkak të vendimit të Gjykatës së Lartë që hoqi të drejën kushtetuese për abort. Shumica prej tyre thanë se ky është shqetësimi i tyre kryesor dhe çështja për të cilën duan të dëgjojnë të shprehen kandidatët. Duket se kjo motivon votuesit demokratë”, tha Ashley Kirzinger, drejtore e metodologjisë së sondazheve në Fondacionin Kaiser Family.

 

Gjatë fushatës në Kaliforni këtë javë, nënpresidentja Kamala Harris tha se kjo është një çështje që ndikon jo vetëm në Shtetet e Bashkuara.

 

Qeveritë autokratike në botë mund t’u thonë qytetarëve të tyre, a doni të ndiqni shembullin e të drejtave në Amerikë? Shihni se çfarë bënë ata. Pra, ajo që ndodhi do të ndikojë tek gratë anembanë botës“, tha zonja Harris.

 

Gara ka nisur anembanë vendit dhe me zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre amerikanët do të përcaktojnë edhe politikën mbi abortin për vitet e ardhshme./voa