Tensione mes Francës e Italisë/ Akuza të ndërsjellta mes dy vendeve, për shkak të emigrantëve

Franca dhe Italia janë përfshirë në një përplasje diplomatike, shkak i së cilës u bënë 230 emigrantë. Një muaj më parë anija Oqean Viking e marrë me qira nga një shoqatë bamirësie shpëtoi në brigjet e Libisë 230 klandestinë. Pas lundrimit në Mesdhe ajo nuk u lejua të ankorohej në portet e Italisë, duke i lënë emigrantët për pothuajse 1 muaj në det të hapur, derisa Franca i pranoi ata në portin e saj ushtarak të Toulon.

 

 

Parisi zyrtar akuzoi Italinë se nuk po u përmbahet marrëveshjeve të BE për pranimin e emigrantëve dhe më pas shpërndarjen e tyre në vende të tjera të unionit. Franca fajësoi hapur Italinë për qëndrimin e saj çnjerëzor, duke njoftuar se do të pezullojë programin e pritjes për 3000 emigrantë që ndodhen në tokën italiane.

 

 

Sekretarja franceze e Shtetit Laurence Bonne tha se besimi me Italinë është thyer. Ajo theksoi se Roma ka marrë disa angazhime, të cilat shkojnë përtej jetës së një qeverie. Franca nuk është ndalur me kaq por ka vendosur në kufi me Italinë kontrollet e përforcuara për të ndalur çdo mundësi kalimi nga ndonjë emigrant.

 

 

I menjëhershëm ka qenë reagimi nga Roma zyrtare. Kryeministrja Xhorxhia Meloni tha se i bëri shumë përshtypje reagimi agresiv i Francës.

 

 

XHORXHIA MELONI

KRYEMINISTE E ITALISË

Më bëri shumë përshtypje reagimi agresiv i qeverisë franceze, i pakuptueshëm dhe i pajustifikueshëm. Anija Ocean Viking është anija e parë e një OJQ-je që është ankoruar ndonjëherë në Francë me 230 emigrantë. Kjo ka gjeneruar një reagim shumë të ashpër ndaj Italisë që ka sjellë gati 90 mijë emigrantë që nga fillimi i vitit. Mos duhet të jetë Italia porti i vetëm i zbarkimit për emigrantët mesdhetarë? Kjo nuk shkruhet në asnjë marrëveshje.

 

 

Meloni shtoi se ajo nuk e ka marrë mandatin nga italianët për të pritur çdo anije me emigrantë, por për të frenuar emigracionin. Ndërsa Brukseli zyrtar ka thirrur një takim të nivelit të lartë për të ulur tensionet mes dy anëtarëve të unionit.