Misioni parësor i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit, FIFA e asaj evropiane, UEFA, janë shteti larg duart nga futbolli.
Nuk pranohet asnjë vendim administrativ e aq më shumë kur është ndesh me Ligjin për Sportin, që cenon pavarësimin e institucionit të futbollit.
Këtë shqetësim adhuruesit e futbollit e kishin edhe gjatë këtij viti kur u tha se njerëz nga Ministria e Sporteve dyshohet se dëshirojnë të përzihen në autonominë e Federatës së Futbollit të Kosovës, gjatë zgjedhjeve për kryetar të saj.
Pas reagimeve të opinionit futbollistik por edhe të atyre nga UEFA, ministri reagoi duke potencuar se nuk përzihen në punët që nuk i takojnë.
Megjithatë MKRS dërgoi lëndën në gjykatë duke e kontestuar kuvendin.
Nuk kishte asnjë ndalesë, dhe kuvendarët me shumicë të votave rizgjedhën Agim Ademin për mandantin e ri 4 vjeçar.
Një komision i MKR-së, kishte dhënë opinion këshillues se kuvendi nuk është i rregullt, anëtarë nga i cili komision në debate hapur ishin implikuar në fushatën zgjedhore kundër Ademit.
Së fundi nga Ministria e Sporteve duket të jetë marrë një hap i ri me zakone të vjetra.
Me anë të një udhëzimi të ri administrativ thanë se do të fillojnë licencimin e federatave.
E numri një i ministrisë, Hajrulla Çeku, hapur ka potencuar se FFK nuk do të licencohet derisa lënda të jetë në proces gjyqësor, të cilën vet ajo ministri e kishte dërguar në bazë të një opinioni këshillues të sqaruar më lartë!
Ky udhëzim administrativ duket të jetë ndesh me Ligjin e Sportit. Dyshohet se ky veprim mund të jetë bërë që tani të jetë pengesë për zhvillimin e licencimin e federatave.
Ndoshta në vazhdim pritet edhe reagimi i Komitetit Olimpik të Kosovës, në mënyrë që të mbanë politikën larg sportit.
Ministri Çeku së fundi ka folur për pasojat e mos-licencimit duke aluduar me theks të veçantë te federata më e madhe sportive në vend.
Lehtë mund të konsiderohen kërcënime për FFK-në dhe drejtuesit e saj.
FIFA e UEFA në asnjë mënyrë nuk bëjnë tolerime të tilla dhe në rastin më të lehtë do të mund të vinte suspendimi i FFK-së në garat evropiane.
Përveç përjashtimit të ndeshjeve të Kombëtares në të gjitha kategoritë, aty do të pësonin edhe vet klubet.
Andaj qoftë me vendime arbitrare apo përmes udhëzimeve administrative, njerëzit që drejtojnë ministrinë përkatëse duhet ta dinë, se një lojë e tillë nuk lejohet nga organet e futbollit ndërkombëtar.
FFK ka kohë që kontrollohet rreptë edhe nga krimet ekonomike, ATK dhe Dogana. Madje, është krijuar Task-Force për këtë federatë, me kërkesë të grupeve të interesit, të cilat synim e kanë kapjen e këtij institucioni. Përderisa nuk arritën që atë ta kapin me votën e delegatëve, klubeve dhe atyre që kanë kontribuuar në vazhdimësi për futbollin, ata tani synojnë që këtë ta bëjnë përmes shpifjeve dhe ndërhyrjes së politikës. Prokuroria ka bërë urdhëresë për hetim edhe pse FFK nuk është organ shtetëror dhe as nuk shpenzon para të buxhetit të shtetit, por është OJQ dhe i përgjigjet dhe auditohet nga UEFA e FIFA. Ky hetim bëhet pa asnjë ankesë dhe as kërkesë nga UEFA e FIFA-s, por me kërkesa individuale e shoqërore. Deri ku mund të shkojnë këto hetime për përfitime dhe pocizionime të njerëzve, aq sa të kërkojnë edhe burgosjen e Ademit, vetëm për ta hequr nga posti. A do t’ia lejojë shteti vetes një ‘luks’ të tillë që për interesa të disa individëve të shkatërrojë një storie suksesi dhe ta bëjë UEFA-n e FIFA-n ta përjashtojë Kosovën nga garat ndërkombëtare?!!! Le të shpresojmë se ndërhyrjet e tilla do të ndalen dhe FFK, si federata më e madhe do të vazhdojë të punojë pa presionin e këtyre ndërhyrjeve dhe do të licencohet nga MKRS. Përndryshe, vaj halli për ne dhe për institucionet dhe shoqërinë tonë…