Shqipërim Arifi: Shërbimet sekrete serbe na vëzhgojnë se kush e vendos flamurin në Preshevë.
Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi thotë se autoritetet serbe e kanë dërguar në prokurori dhe gjyq, sa herë që ka ngritur flamurin shqiptar në ndërtesën komunale.
Arifi bëri të ditur se ndërtesa e Komunës së Preshevës është vëzhguar në 24 orët e fundit, nga policia lokale, por edhe nga shërbimet sekrete serbe për të parë se kush do ta vendosë flamurin shqiptar.
“Po. Nuk është hera e parë që e kemi ngritur flamurin kombëtar këtu në Preshevë. Pesë a gjashtë herë më ka rastisur mua që ta vendos flamurin aty lart. Në këtë kontekst, ne ndihemi si çdo herë krenar, edhe ndihemi mirë. Atmosfera jonë është festive, që kur e ngrejmë flamurin kombëtar, e kthejmë një Shqipëri në Preshevë. Kështu është ajo ndjenja dhe në këtë kontekst, të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës kur e shohin flamurin në administratën komunale, e ndjejnë së paku për një ditë Shqipërinë e Madhe.
Si çdo vit, edhe sivjet administrata jonë, ndërtesa komunale është vëzhguar nga policia lokale, por edhe nga shërbimet sekrete serbe në 24 orët e fundit, për të shikuar kush e vendos, sa orë e vendos, si e vendos. Ka një qasje shumë direkte, projektet e mia ngadalësohen, ndonjëherë edhe anulohen që financohen nga ndërkombëtarë. Më dërgojnë në prokurori, në gjyq, më dënojnë me sasi të caktuar parash. Kjo është e vetmja arsye, ndodh çdo vit”, theksoi ai për Euronews.
Ndër të tjera, Arifi nënvizoi se qeveria në Shqipëri, Kosovë dhe ndërkombëtarët e dinë këtë fakt, por nuk kanë reaguar.