Një nga qëllimet kryesore të talibanëve që nga marrja e pushtetit në gusht të vitit 2021, ka qenë transformimi i sistemit arsimor të Afganistanit.
Që nga tetori, kjo detyrë i ka rënë Nida Mohammad Nadimit, një klerik i ashpër që u emërua ministër për Arsimin e Lartë.
Një ish-guvernator dhe komandant ushtarak, Nadim, është zotuar të çrrënjosë të gjitha format e arsimit modern laik që lulëzoi në Afganistan pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 2001, që rrëzoi regjimin e parë të talibanëve.
Ai, gjithashtu, ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj shkollimit të vajzave dhe grave, duke e quajtur atë jo-islamik dhe kundër vlerave afgane.
Komentet e tij kanë ndezur polemika dhe kanë nxitur spekulime se talibanët po planifikojnë të kufizojnë më tej shkollimin e grave.
Militantët tashmë ua kanë ndaluar vajzave të ndjekin shkollën e mesme dhe kanë imponuar ndarje gjinore dhe një kod të ri veshjeje në universitete.
Ata, gjithashtu, ua kanë ndaluar grave të aplikojnë për shumë kurse universitare.
Talibanët janë zotuar gjithashtu të rishikojnë kurrikulën kombëtare dhe kanë shpalosur planet për të ndërtuar një rrjet të gjerë medresesh ose seminaresh fetare, në të 34 provincat e vendit.
“Shthurrje dhe paturpësi”
Që nga emërimi i tij, Nadim ka hequr të gjitha rregullat dhe aktet nënligjore të ministrisë së ngarkuar me rregullimin dhe mbikëqyrjen e universiteteve publike në Afganistan.
Ai, gjithashtu, ka emëruar luftëtarë talibanë si zyrtarë dhe mësues në universitete, pavarësisht mungesës së kualifikimeve të tyre.
Në një fjalim më 4 dhjetor në qytetin perëndimor të Heratit, Nadim tha se do të ishte “mosrespekt” për anëtarët e talibanëve që të jepnin provime për të përcaktuar kualifikimet e tyre akademike.
Ai këmbënguli se kredencialet e një luftëtari taliban bazoheshin në “numrin e bombave” që ai kishte shpërthyer.
Muajin e kaluar, Nadim sulmoi gjithashtu Amanullah Khanin, ish-mbretin reformist të Afganistanit, i cili konsiderohet gjerësisht si një hero kombëtar për rifitimin e pavarësisë së vendit nga Britania në fillim të shekullit XX dhe përpjekjet e tij për të modernizuar Afganistanin.
Nadim akuzoi monarkun se “ka sjellë një recetë për shthurjen dhe paturpësinë nga tokat e huaja” duke promovuar edukimin e grave në vitet ’20”.
‘Një ogur i keq’
Analistët thanë se emërimi dhe ngritja e Nadimit brenda talibanëve sugjeron se grupi militant po planifikon të vendosë një ndalim të përgjithshëm për shkollimin e grave, si gjatë qëndrimit të tij të parë në pushtet nga viti 1996 deri më 2001.
“Emërimi i tij në Ministrinë e Arsimit të Lartë është një ogur i keq”, tha një analist me bazë në Kabul, i cili foli për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjes.
Nadim u emërua nga udhëheqësi suprem i talibanëve, Mullah Haibatullah Akhundzada, i cili ka fjalën e fundit nën sistemin e udhëhequr nga klerikët.
Vëzhguesit thonë se Akhundzada po i drejton talibanët në një drejtim edhe më të ashpër.
Analisti me bazë në Kabul tha se Nadim është anëtar i një këshilli klerikësh talibanë që kanë këshilluar Akhundzadan që kur grupi mori pushtetin vitin e kaluar.
Sami Yousafzai, një gazetar dhe komentator veteran afgan, i cili ka hulumtuar talibanët që nga shfaqja e tij në vitet 1990, tha se Nadimi e ka bërë veten të dashur për Akhundzadan duke zbatuar urdhrat dhe vizionin e tij.
“Ai vepron si një ushtar i mirë dhe u bindet urdhrave”, tha Yousafzai. “Ai, thjesht, dëshiron t’i kënaqë liderët talibanë të ashpër që shtyjnë për një ndalim të plotë të edukimit të grave”.
Në një vendim dramatik, të minutës së fundit, talibanët u tërhoqën nga premtimi i tyre për të rihapur shkollat e mesme për vajzat në Afganistan në mars, duke theksuar ndarjet brenda grupit.
Analistët thanë se Akhundzada ka të ngjarë të ketë bërë kthesën për të qetësuar ultra-konservatorët talebanë, të cilët janë ashpër kundër çdo forme të shkollimit të grave.
“Frika nga udhëheqësit e tyre”
Nadim, i cili besohet të jetë në të 40-at, themeloi një medrese në provincën jugore të Kandaharit pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja.
Ai më vonë u bashkua me talibanët dhe u bë anëtar i komisionit ushtarak të grupit në Kandahar.
Nadimi fitoi titullin Sheikh el-Hadith, një dallim i rezervuar për studiuesit më të shquar të thënieve të Profetit Muhamed.
Vëzhguesit kanë thënë se kredencialet fetare të Nadimit e kanë bërë atë të dashur për Akhundzadan, i cili ka të njëjtin titull dhe është i respektuar në mesin e talibanëve si dijetar dhe jurist.
Pas pushtimit të talibanëve, Nadim u emërua si guvernator për provincën lindore të Nangarharit.
Pas një riorganizimi në shkurt, ai fitoi pozitën e guvernatorin të provincës së Kabulit, e cila përfshin kryeqytetin.
Një burim me njohuri për politikën e brendshme të talibanëve i tha Radios Evropa e Lirë se Nadimi është lidhur me klerikët e fuqishëm ultra-konservatorë të afërt me Akhundzadan.
Burimi tha se paraardhësi i Nadimit, Abdul Baqi Haqqani, kishte zemëruar ultra-konservatorët duke i lejuar gratë të shkonin në universitet.
Burimi tha se kundërshtimi i Nadimit ndaj shkollimit të grave ka zemëruar disa pragmatistë talibanë, të cilët kanë frikë se kufizimet e talibanëve ndaj vajzave dhe grave do t’i pengojnë ato të fitojnë njohje dhe ndihmë ndërkombëtare.
“Por, ata nuk janë në gjendje ta hapin gojën nga frika e udhëheqësve të tyre”, tha burimi./rel