Putin thotë se Moska është gati për bisedime, por sulmet në Ukrainë vazhdojnë

Presidenti Vladimir Putin pretendoi se Rusia është gati për bisedime për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, megjithëse ndërkohë ky vend po përballet me sulme të mëtejshme nga forcat ruse – një shenjë e qartë kjo se paqja nuk është e afërt.

 

Presidenti rus tha gjatë një interviste televizive, pasazhe të së cilës u qarkulluan pasditen e së dielës, se Rusia është “e përgatitur për të negociuar disa kushte të pranueshme për të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces”.

 

Ai tha se “nuk jemi ne që refuzojmë bisedimet, por janë ata” – diçka që Kremlini e ka përsëritur gjatë muajve të fundit, ndërkohë që sulmi 10-mujor i forcave ruse vazhdon të humbasë intensitetin.

 

Presidenti Putin përsëriti gjithashtu se Moska “nuk ka zgjidhje tjetër” dhe se beson se Kremlini “po lëviz në drejtimin e duhur”.

 

“Po mbrojmë interesat tona kombëtare, interesat e qytetarëve tanë, të popullit tonë”, tha ai.

 

Komentet e zotit Putin vijnë ndërkohë që vazhdojnë sulmet në Ukrainë. Alarmi për sulme ajrore u dëgjua në mbarë vendin dy herë vetëm gjatë ditës së dielë, dhe tre raketa goditën pasdite qytetin Kramatorsk në rajonin pjesërisht të pushtuar Donetsk, njoftuan zyrtarët lokalë.

Raketat goditën një zonë industriale të qytetit dhe nuk pati viktima, tha guvernatori ukrainas Pavlo Kyrylenko. Ai tha se edhe qyteti Avdiivka u godit të dielën me gjashtë valë sulmesh artilerie dhe se një grua u plagos.

 

Në zona të tjera të rajonit ku gjendet fronti i luftës, si përreth qytetit Bakhmut ku ka patur luftime të ashpra gjatë javëve të fundit, forcat ruse po vështirësohen që të ruajnë ritmin e ofensivës së tyre, njoftoi gjatë fundjavës një organizatë studimore amerikane.

 

“Ritmi i përparimit të forcave ruse në rajonin Bakhmut ka gjasa të jetë ngadalësuar gjatë ditëve të fundit, megjithëse është shumë herët për të vlerësuar nëse ofensiva ruse për të kapur Bakhmutin ka arritur kulmin e saj”, shkruhet në një përditësim të Institutit për Studimin e Luftës.

Instituti citoi blogerë rusë për çështje ushtarake, të cilët kanë pranuar rishtazi se “forcat ukrainase në rajonin Bakhmut kanë arritur të ngadalësojnë paksa ritmin e përparimit rus në Bakhmut dhe zonat përreth tij”.

 

Burime të mediave sociale ukrainase “kishin pretenduar më herët se forcat ukrainase kishin zmbrapsur plotësisht forcat ruse nga rrethinat lindore të Bakhmutit” rreth datës 21 dhjetor, thuhet në raport.

 

“Forcat ruse ka gjasa të vështirësohen për të ruajtur ritmin e operacioneve të tyre ofensive në rajonin Bakhmut dhe mund të fillojnë një pauzë taktike ose operacionale”, thuhet në konkluzionet e institutit.

 

Një ditë më parë, një sulm vdekjeprurës nga forcat ruse në qytetin jugor Kherson, që u rimor nga forcat ukrainase muajin e kaluar, vrau dhe plagosi dhjetëra persona.

Forcat ruse bombarduan 71 herë zonat e mbajtura nga ukrainasit në rajonin pjesërisht të pushtuar të Khersonit gjatë 24 orëve të fundit, përfshirë 41 sulme ndaj qytetit Kherson, njoftoi të dielën guvernatori ukrainas Yaroslav Yanushevich.

 

16 persona u vranë, tha zyrtari, ndër ta edhe tre punonjës të emergjencave që u vranë ndërsa po punonin për çminimin e rajonit Berislav. Zoti Yanushevich tha se 64 persona të tjerë ishin plagosur.

 

Në rajonin fqinj Dnipropetrovsk, qyteti Nikopol u bombardua gjatë natës me sulme të rënda artilerie, tha Guvernatori Valentyn Reznichenko. Nuk pati raportime për viktima./VOA