Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka, ka reaguar për situatën në veri të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Xhaçka thekson se barrikadat e ngritura në veri të kujtojnë ditët e errëta të viteve ’90, të cilat rajoni ynë i ka lënë pas një herë e mirë bashkë me ish-Jugosllavinë.
Më tej, ministrja bën thirrje për dialog dhe bashkëpunim dhe thekson se autorët duhet të nxirren përballë drejtësisë, transmeton Klankosova.tv.
“Po ndjekim me keqardhje minutë pas minute shfaqjen e një krize të tejzgjatur në mënyrë artificiale në veri të Kosovës dhe jemi thellësisht të shqetësuar nga përshkallëzimi i tensioneve”, ka shkruar Xhaçka.
“Barrikadat që janë ngritur në veri, jo prej ndonjë vale zemërimi popullor, por nga një grup kriminelësh famëkeq, nuk po pengojnë thjesht vijimin normal të jetës. Ato janë po ashtu skena që të kujtojnë ditët e errëta të viteve 1990 të cilat rajoni ynë i ka lënë pas njëherë e mirë bashkë me ish Jugosllavinë që shkoi e vate”.
“Për pak vjen viti 2023! Kjo nuk është koha për të bërë kërcënime ushtarake apo për sulme të papranueshme kundër Policisë së Kosovës, KFOR dhe Policisë së EULEX. Kjo është koha për dialog dhe bashkëpunim. Kjo përballje e rrezikshme duhet të marrë fund dhe autorët duhet të nxirren përpara drejtësisë”.
Xhaçka i ka bërë thirrje autoriteteve serbe që të mos i justifikojnë barrikadat.
“Ne jemi me Kosovën në këtë situatë të vështirë dhe i bëjmë thirrje autoriteteve serbe të mos i justifikojnë as barrikadat e as grupet kriminale që refuzojnë t’i largojnë ato. Të luash me zjarrin është një ide shumë e keqe për të ardhmen e të gjithë fëmijëve tanë”.