Visar Ymeri: Goxha më keq se Haki Abazin, LVV i ka trajtuar njerëzit me kontribute të shumta në parti


Ymeri: Goxha më keq se Haki Abazin, LVV i ka trajtuar njerëzit me kontribute të shumta në parti.

Ish-deputeti Visar Ymeri është shprehur Lëvizja Vetëvendosje si parti i ka trajtuar edhe më herët deputetët jo aq mirë dhe ka thënë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur vetëm ndaj deputetit Haki Abazi.

Megjithatë, sipas Ymerit LVV i ka trajtuar më keq personat që kanë kontribuar në të më shumë se Abazi.

“Unë mendoj se Haki Abazi është duke folur tash për diçka që ky e ka ditur, d.m.th. jo vetëm Haki Abazi por edhe shumë aty e kanë ditë. Vetëvendosje i ka trajtuar goxha më keq se Haki Abazin, njerëzit që kanë kontribuar shumë më shumë në parti. Nuk e mbështes një sjellje të tillë ndaj askujt. Nuk është hera e parë që LVV e bën këtë, shpresoj të jetë e fundit”, ka thënë Ymeri në RTV Dukagjini.

Ai ka shtuar se rasti Dehari edhe nëse ka qenë vetëvrasje duhet zbardhur e hulumtuar, pasi përgjegjësi edhe në raste të tilla kanë organet kompetente.

“Edhe nëse ka qenë vetëvrasje kjo e Astrit Deharit prap këtu kanë përgjegjësi organet shtetërore. Në këtë rast përgjegjësia është te Shërbimi Korrektues. Kanë përgjegjësi edhe nëse është vetëvrasje, duhet të zbulohet, duhet me u marrë vesh njëherë e përgjithmonë”, u shpreh Ymeri.

I pyetur për çështjet e ngritura nga Abazi lidhur me rastin Dehari, ai ka thënë se Abazi nuk është dashur ta përdor rastin Dehari ‘për qërime hesapesh politike’.

“Nuk e di përse e ka ngritur këtë çështje Haki Abazi në këtë moment. A është për shkak se e kanë shkarkuar, por unë mendoj që edhe nëse është për këtë nuk është dashur ta përdor këtë rast për qërim hesapesh politike nëse e ka bërë për një gjë të tillë”.

“Nëse ka diçka që Haki Abazi po mundohet që përmes opinionit publik ta fokusojë orientimin në mënyrë që të zbulohet ajo pra përgjegjësi deri te kryeministri që mund të kenë në zhdukjen e provave atëherë shumë mirë nëse zbulohet edhe kjo, sepse edhe përgjegjësia edhe me çfarë qëllimi e synimi e motivi janë zhdukur ato mostra duhet të zbulohet”, ka vijuar Ymeri.

Analisti në fjalë, ndër të tjera, e ka quajtur interesante një deklaratë të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe është shprehur konfuz për faktin se si po flitet për pamundësinë e zbardhjes së rastit Dehari pasi ka zhdukje të mostrave, por në anën tjetër ka raporte për mostrat që janë ekzistuese.

“Mostrat ekzistuese nuk do të na sillnin diçka të re për rastin. Raportet për mostrat janë, mua më është dukur interesant një deklaratë e mëhershme e ministres së Drejtësisë e cila kur flet për mostrat thotë kjo është bërë me qëllim në njëfarë mënyre që mos të zbardhet rasti kurrë”.

“Tash nëse ne i kemi raportet për këto mostra atëherë pse ministrja zgjodhi zhdukjen e mostrave me moszgjidhjen e rastit kurrë, pasi të dhënat e këtyre mostrave i kemi, pse po pamundësohet tash. Pyetja është si po u pamundësoka zbardhja e rastit për shkak të zhdukjes së mostrave nëse raportet për mostra tash i kemi. Kjo është një prej atyre përdorimeve”, ka thënë analisti Ymeri.