Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me ftesë të institucioneve franceze do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Paris gjatë ditëve në vijim.
Nga Zyra për Media e LDK-së kanë bërë të ditur se arsyeja e kësaj vizite është procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe proceset integruese të Kosovës në strukturat euro-atlantike.
“Gjatë ditëve në vijim Abdixhiku do të takohet me zyrtarë institucional të shtetit të Francës, për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit politike, dialogun dhe rrugën integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike”, thuhet në komunikatë.
Një udhëtim i tillë i Abdixhikut drejt Francës vjen pak kohë para takimit të 18 marsit në Ohër ku edhe pritet të nënshkruhet marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Opozita kosovare, konkretisht LDK e PDK janë shprehur kundër kësaj marrëveshje duke kundërshtuar përmbajtjen e saj.
Ishte vetë kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ai që dy ditë më parë e ka vlerësuar marrëveshjen të rrezikshme për vendin tonë dhe “gabim historik” nënshkrimin e saj.
“Në marrëveshjen me neutralitet ndaj statusit e me tejkalim të së kaluarës si vlerë, kryeministri i Kosovës i ka hapur dy dyer të rrezikshme për vendin. E para ka të bëjë me një organizim vetmenaxhues që është më shumë se Asociacion. E dyta ndërsa me Statusin Politik të Kishës Ortodokse Serbe. Shihni problemet në vendet fqinje për të kuptuar përmasën e këtij lëshimi”, ka thënë Abdixhiku.
Kritikat e partive opozitare – me theks te LDK dhe PDK – mbi përmbajtjen e propozimit evropian, nuk i ka pritur fare mirë ShBA-ja.