Presidenti Stevo Pendarovski e cilësoi si skandaloze kërkesën e Sofjes për të marrë pjesë në procesin e ndryshimeve kushtetuese të vendit, pasi ministri bullgar i Punëve të Jashtme Nikollai Millkov deklaroi se Bullgaria dëshiron të përfshihet dhe konsultohet në procedurën për regjistrimin e bullgarëve në Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut. Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë ka dalë me reagim se procesi i ndryshimeve kushtetuese është çështje e brendshme e vendit, e cila si obligim lidhet me negociatat për anëtarësim në BE, dhe me këtë qëndrim është pajtuar edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, shkruan Indeks.mk
“Kërkesa nga Sofja është skandaloze. As pushtuesit nuk bëjnë kërkesa të tilla ndaj vendeve, territoreve apo shteteve që i pushtojnë. Në shekullin XXI është absurde e papërshtatshme të kërkosh të ndërhysh në proceset e brendshme politike dhe kushtetuese-ligjore të çdo vendi. Dhe mendoj se në këtë drejtim përgjigja jonë përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme ishte e përshtatshme”, ka deklaruar presidenti Stevo Pendarovski.
Në pyetjen e një gazetari, Pendarovski tha se koncepti i shumicës dhe pakicave në Republikën e Maqedonisë së Veriut është tejkaluar, se debati është tejkaluar dhe ka përfunduar me Marrëveshjen Kornizë të vitit 2001.
“Në ish-Jugosllavi nuk e kemi përdorur asnjëherë termin “pakica kombëtare”, por ka pasur “kombe” dhe “kombësi”. Pse? Për të mos ofenduar askënd që jeton këtu, dhe është si një numër më i vogël se shumica e njerëzve. Mendoj se është një debat i pavend dhe nuk duhet të humbim kohë për të”, thotë Pendarovski.
Lidhur me kërkesën e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski për takim liderësh dhe nëse do ta organizojë atë, Pendarovski tha se në parim ai gjithmonë i ka mbajtur ato takime, nëse ka pasur pëlqim nga të dyja palët, pushteti dhe opozita, por ka theksuar se deri në këtë moment për propozimi “kroat” i VMRO-DPMNE-së nuk ka pëlqimin e palëve të tjera.
Kryeministri Kovaçevski ka deklaruar se procesi i ndryshimeve kushtetuese është çështje e brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që është edhe obligim lidhur me negociatat për anëtarësim në BE.
“Lidhur me kërkesën e Bullgarisë për pjesëmarrjen e tyre, Ministri i Punëve të Jashtme tashmë ka dhënë mendimin e tij dhe jam plotësisht dakord me deklaratën e tij, që është se procesi i ndryshimeve kushtetuese është çështje e brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila është një detyrim që lidhet për negociatat e anëtarësimit me BE-në”, tha Kovaçevski.
Sipas kryeministrit, ky është një vendim që është ekskluzivisht në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë, partive politike dhe Parlamentit.
“Nuk ka mundësi, vullnet politik, asnjë mënyrë që dikush tjetër të përfshihet në këtë proces nga jashtë”, tha Kovaçevski.
Amendamentet kushtetuese kanë qenë edhe temë e takimit të kreut të BDI-së Ali Ahmeti me ambasadorin e OSBE-së në vend Kilian Val. Ahmeti ka njoftuar Valin se koalicioni qeverisës ka filluar përgatitjet për ndryshimet kushtetuese dhe ka përgatitur planin për zbatimin e tyre.
Përsa i përket ndryshimeve kushtetuese, ditëve të fundit ka pasur përplasje mes opozitës VMRO-DPMNE dhe partisë së majtë. E majta akuzoi se “u vijnë informacione nga persona në pozita të larta në VMRO-DPMNE, për gjoja bisedime mes Mickoskit dhe Kovaçevskit, të ndërmjetësuara nga struktura nga Bullgaria fqinje, që kulmuan me ofertën e fundit për ndryshimin e Kushtetutës sipas modelit kroat.
Për këtë ka reaguar VMRO-DPMNE, nga ku kanë hedhur poshtë pretendimet e tilla, duke paralajmëruar padi ndaj “Levicës” nëse nuk kërkojnë falje.
Ministria e Drejtësisë i dërgoi të martën kabinetit të Presidentit të Shtetit, Ministrisë së Jashtme, SEP dhe partive politike parlamentare, korrespondencë me kërkesë për emërimin e përfaqësuesve në grupin e punës për ndryshimet në Kushtetutë. duhet të përgjigjet më së voni deri më 10 prill. Në grup ftohen të marrin pjesë ekspertë nga fusha e së drejtës kushtetuese.