Kurti: Punët e vështira që na presin vetëm sa ma shtojnë vullnetin

“Erdhi Dita” e VV-së. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot është zgjuar duke i uruar “mirëmëngjes” ndjekësve të tij në “Facebook”. Ai ka thënë se prej mbrëmë ka shpresë, duke i falëndëruar votuesit që e votuan në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Prej mbrëmë ka shpresë. Sepse dje pati guxim. Ju votuat masivisht duke bërë që opozita e deridjeshme të korrë fitore bindëse. Ndryshimi ndodhi. Dhe, jo vetëm kaq. Populli vendosi që këtij ndryshimi i prin dhe do t’i prijë Lëvizja VETËVENDOSJE!. Të gjithë ju që keni votuar dje u jam falenderues që keni kryer detyrën qytetare e obligimin demokratik në një kohë të vështirë siç është kjo që po kalojmë dhe në një vend të dashur siç është Kosova jonë”, ka shkruar i pari i VV-së.

I pari i VV-së u shpreh se të gjithë kanë votuar për ndryshimin. “Qytetarët folën me votën e tyre. Ata ndërhynë masivisht në skenën politike në mënyrë që drama kosovare e shtetit të kapur të mos ketë fund tragjik. Urtësia e popullit tonë në çastet vendimtare ishte asgjë më pak sesa fantastike”, ka thënë ai tutje.

Kurti u zotua se do të punojnë, duke premtuar bashkëpunim me qytetarët. “Tash, ne duhet të punojmë. Ama sërish bashkë me qytetarët. Kurrë anash apo prapa qytetarëve. Bashkë, gjithnjë. Punët e vështira që na presin vetëm sa ma shtojnë vullnetin. Ato nuk kanë llogari me neve, me juve, me mua. Sepse: Erdhi dita!Ju falemnderit të gjithëve dhe secilit”, ka shruar Kurti.

Të dhënat momentale të KQZ-së, tregojnë se deri më tani janë numëruar 95,88% të votave, apo 2442 vendvotime nga 2547 sa kanë qenë gjithsej. Rezultati i fundit tregon se Lëvizja Vetëvendosje është e para me një rezultat 25,81%. Pas saj Lidhja Demokratike e Kosovës me 25,07%. Partia Dermokratike e Kosovës renditet e treta me 21,17%. Në vendin e katërt renditet Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Partia Social Demokrate me 11,64%.