Ruçi i sugjeron ambasadores Barakat: Libani të njohë pavarësinë e Kosovës

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka pritur të martën ambasadoren e Libanit Dona Barakat. Kryetari Ruçi vlerësoi nivelin pozitiv aktual të marrëdhënieve dypalëshe dhe vullnetin e Shqipërisë për forcimin e tyre të mëtejshëm. “Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Libanit janë historike dhe ato duhet të forcohen. Marrëdhëniet shumë të mira politike duhet të pasohen nga fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik e tregëtar” tha zoti Ruçi. “Kjo kërkon që marrëveshjet në proces për t’u nënshkruar midis qeverive duhet të bëhen sa më shpejt funksionale sepse ato e lehtësojnë këtë bashkëpunim, sidomos në fushat e bujqësisë, turizmit dhe transportit” tha ai.

Në konteksin e zhvillimeve ballkanike, kreu i parlamentit shqiptar i ka sugjeruar ambasadores së Libanit Dona Barakat që vendi i saj Libani të njohë pavarësinë e Kosovës. Ambasadorja Dona Barakat shprehu vlerësimet më të larta të parlamentit dhe qeverisë së Libanit dhe gadishmërinë e tyre për të fuqizuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me Shqipërinë. “Unë do tia përcjell qeverisë të gjithë sugjerimet tuaja. Kam besim se këto kërkesa do të mirëpriten dhe bashkëpunimi midis të dy vendeve tona do të marrë impulse të reja.”, nënvizoi ambasadorja Barakat. Ajo i ka përcjellë zotit Ruçi, ftesën zyrtare për të vizituar Republikën e Libanit.