Seferi: Jam në formë të mirë, luaj ku të dojë trajneri

Sulmuesi nga Kumanova, që luan me zviceranët e Xamax, Taulant Seferi ishte një nga risitë e listës së trajnerit Edi Reja për ndeshjet e radhës eliminatore, ndërsa sot ishte në krah të Berat Gjimshitit në konferencën për shtyp nga kompleksi “Tropikal”, ku kuqezinjtë po përgatiten për përballjen me Turqinë.

Si ju duket tani që jeni në Kombëtaren e madhe?
Unë e kam ndjekur gjithmonë Kombëtaren dhe jam shumë i befasuar dhe i kënaqur nga pritja. Po shikoj një pozitivitet, shpresoj që këtë atmosferë ta përcjellim edhe në ndeshjet e ardhme.

Jeni gati për të luajtur shanset tuaj për një vend në formacion?
Kam pritur ftesën të isha në Kombëtare, pasi mendoj që jam mirë dhe shpresoj të bëj më të mirën për fanellën kuqezi. E rëndësishmja është se po ndihem mirë, për minutat vendos trajneri. Unë do jap maksimumin në stërvitje dhe në ndeshje.

Dy ndeshjet e fundit e keni nisur nga stoli…
Këto 2 ndeshjet e fundit me klubin nuk kam luajtur nga fillimi se kisha një dëmtim të vogël. Tani besoj se ndihem shumë mirë. Trajneri ka marrë në Kombëtare ata që janë në formë më të mirë. Duhet të fokusohemi vetëm te fitorja në 2 ndeshjet e radhës. Jemi një grup shumë i mirë i lojtarëve.

Ku e shihni veten në skemat e trajnerit Reja?
Nuk është se kemi punuar taktikisht në 2 stërvitjet e para. Jam duke luajtur si sulmues qendre, nuk e kam problem të luaj edhe anash, në formacionin 3-5-2 të trajnerit. Sidoqoftë kudo që të ketë nevojë skuadra jam i gatshëm