Liga Arabe i kërkon Turqisë të ndalë ofensivën e saj në Siri

Liga Arabe i ka bërë thirrje Turqisë që të ndërpresë ofensivën ushtarake në Siri dhe të tërheqë trupat e saj nga territori sirian.

Kreu i kësaj lige, Ahmed Aboul Gheit tha se operacioni ushtarak i Turqisë në veri të Sirisë ka shkaktuar një valë të re të personave të zhvendosur dhe rrezikon “arritjet” e bëra në luftimin e grupit militant, Shteti Islamik.

Ofensiva ushtarake e Turqisë në Siri ka hyrë në ditën e katërt.

Mediat shtetërore turke kanë raportuar se forcat opozitare siriane, të cilat i mbështetë Ankraja, kanë arritur në një autostradë strategjike në verilindje të Sirisë, që gjendet rreth 30 kilometra në jug të kufirit me Turqinë.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut ka njoftuar se si pasojë e operacionit turk, ka arritur në 30 numri i viktimave.

Ofensivën turke në Siri sot e ka kritikuar edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili gjatë një bisede telefonike me homologun e tij amerikan, Donald Trump, ka thënë se kjo mund të çojë në ringjalljen e aktivitetit të grupit militant, Shteti Islamik.

Turqia ka thënë se ofensiva ka për qëllim të zmbrapsur Njësitet e kurdëve për Mbrojtjen e Popullit (YPG) nga kufiri i saj.