Kombëtarja kryen stërvitjen në Moldavi, shanse për të rinjtë për të debutuar

Të shtunën në mbrëmje kombëtarja shqiptare ka mbërritur në Moldavi për ndeshjen e së hënës e cila është sfida numër 8 në Grupin H për eliminatoret e Europianit. Nën drejtimin e Reja-s sot paradite kuqezinjtë kanë zhvilluar stërvitjen e parë në tokën moldave, ndërsa në orën 19:30 është caktuar edhe një tjetër seancë stërvitore që do të zhvillohet në stadiumin e Zimbrus në Chisinau.

Pas humbjes me Turqinë, e cila praktikisht ka shuar çdo shpresë të kuqezinjve për kualifikim, pritet që në këtë sfidë trajneri Reja të bëjë disa ndryshime në formacion. Më shumë hapësira do të kenë lojtarët e rinj, ndërsa pritet të bëjnë debutimin edhe dy lojtarët e rinj Taulant Seferi dhe Lindon Selahi.

Ende në dyshime për sfidën është mbrojtësi 19-vjeçar Marash Kumbulla i cili vuan një dëmtim në shpatull nga ndeshja e fundit që luajti në ‘Seria A’.

Përsa i përket ndeshjeve me Moldavinë kombëtarja shqiptare është e favorizuar në bazë të statistikave. Në katër përballje të mëparshme kuqezinjtë kanë fituar tre herë, ndërsa vetëm në një rast ndeshja është mbyllur në barazim. 8 gola gjithsej kanë realizuar futbollistët e kombëtares sonë, ndërsa dy herë ata të Moldavisë.

Për këtë sfidë UEFA ka përcaktuar edhe arbitrat që do të jetë një katërshe nga Anglia me kryesor Chris Kavanagh.