Ushtria turke shkatërron kamionin që furnizonte terroristët me municion

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë shpërndau pamjen në lidhje me shkatërrimin e një kamioni, që furnizonte terroristët e PKK/PYD-YPG me municion, në kuadër të operacionit “Burimi i Paqes” që vazhdon me sukses në lindje të Eufratit.

“Terroristët vrasës të foshnjave të PKK/PYD-YPG që shënjestrojnë vendbanimet tona civile me mortaja, u shkatërruan nga Forcat tona Ajrore pasi janë identifikuar nga dronët tonë, përderisa ishin duke u furnizuar me municione për masakra të reja”, thuhet në postimin e ministrisë në rrjetin social Twitter.

Në pamjet mund të shikohet se si shkatërrohet kamioni në të cilën terroristët transportojnë municione nga tuneli.

Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.

Ankaraja synon ta pastrojë rajonin në lindje të lumit Eufrat nga terroristët e PKK-së dhe dega e saj siriane, PYD/YPG.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40.000 njerëzve, përfshirë shumë gra dhe fëmijë.