Kristina Marku: Pse vendosa t’i rikthehem pasionit tim të madh, këngës

Një emër i njohur i skenës shqiptare që tashmë ka zënë vend dhe po kërkohet gjithandej është dhe Kristina Marku, vajza shqiptare e cila këndon ‘live’ në evenimente dhe ahengje të ndryshme. Ajo vjen në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA ku tregon mbi fillimet në karierë, pse u shkëput dhe pse u rikthye përsëri në muzikë.

Mban mend fillimet e karierës?

Sigurisht fillimet e karierës secili artist i mban mend, pasiqë aty janë shkëndijat e para të cilat të shtyjnë më tej. Momentet kur isha shumë e vogël klasa e 4 në fillore kur dola para kolektivisht dhe dridhesha nga emocionet, jetonim në fshat dhe kushtet nuk na lejonin të kishim një kujtim në foto e aq më pak në video.

Do kishe dashur të rikthehesh dhe njëherë në fillim?

Të jem e sinqertë po, por me kushtet e sotme.

Ka qenë e vështirë?

Ka qenë e vështirë patjetër për mua dhe familjen meqenëse ne ishim 8 fëmijë, 5 motra dhe opinion i njerëzve ishte shumë i rëndësishëm për secilin.

Midis televizionit, radios dhe shtypit të shkruar cilin do të zgjidhje për intervistë?

Mos të ju ngel hatri juve të gazetës (qesh), sigurisht televizioni pasiqë mendoj se tek publiku shkon  shumë dimensionale.

Të vjen keq që radio nuk është më aq e fuqishme sa ka qenë dikur?

Jam nostalgjike por jo sa të them që radio duhet të jetë mjeti më i rëndësishëm i komunikimit në kohën kur evoluimi i teknologjisë po ecën me hapa galopante.

Për çfarë ke studiuar?

Kam studiuar për mësuesi dhe kam punuar disa vite, ndërkohë që rrisja tre fëmijë e lash mënjanë muzikën si ëndër në sirtar, deri në momentin që vendosa të rikthehem pasionit të madh që kisha në jetë.

Të vjen keq që nuk ke vazhduar një fushë tjetër por je përkushtuar muzikës?

Nuk ka qenë fare e lehtë por pasioni, talenti, puna, këmbëngulja bëjnë që të mposhtet çdo vështirësi.

Ka qenë e thjeshtë për ty të futesh në botën e muzikës?  Ishte diçka që e ëndërroje apo erdhi spontanisht dhe si profesion është i lodhshëm?

Të kënduarit live më ka rritur jashtë mase profesionalisht, është e lodhshme por rezultatet janë emocionuese.

Ka shumë konkurrencë në muzikë, ashtu siç thuhet?

Vështirësitë në këtë rast nuk varen vetëm nga ti, nëse dikush nuk do jetë në pozicionin që i takon atëherë edhe mund të ketë keqkuptime, hatërmbetje etj, por mendoj që duhen marrë gjërat me sportivitet, publiku është ai që bën dallimin, konkurenca e ndershme të shtynë përpara, kam hasur edhe më ka bërë mirë, ndërsa kur flasim për konkurencën e ‘ndershme’atëherë më mirë mos qofsh present, është fatkeqësi (qesh).

Një këngëtarë që ka shërbyer si model frymëzimi për ty? Me cilën nga këngëtaret shqiptare do të bashkëpunoje me qejf për një duet të rradhës?

Kam 2-3 emra që do dëshiroj vërtetë një bashkëpunim meqenëse mendoj që do ishte i suksesshëm dhe për nga natyra e vokaleve, Meda, Gold Ag dhe Bujar Qamili.

Merr shpesh kritika se lëvdata e dimë që po?

Po marr dhe kritika dhe sinqerisht unë imponohem goxha nga kritikat, por ndodh që shkoj kundër rrymës kur kuptoj që kritika është me prapavijë.

Krahas muzikës, ke sprovuar veten në ndonjë fushë tjetër?

Nuk e kam provuar veten diku tjetër sepse gjithë kohën ia kam përkushtuar pasionit, tashmë profesionit tim këngës.