Ylber Sela ka disa fjalë për Arben Taravarin

Drejtori i Agjencisë për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Ylber Sela i është përgjigjur reagimit të kreut të Gostivarit, Arben Taravari. Nl rjetin social, Sela shkruan:

“Kryeqytetari i Gostivarit, Arben Taravari, në faqen e tij në Fejsbuk paska botuar një reagim kundër Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, nëpërmjet të cilit shfaqet si një dalzotës i gjuhës shqipe. Për t’i flakur të pavërtetat e tij, jemi të detyruar t’i marrim me radhë dhe t’i sqarojmë për hir të qytetarëve.

Së pari, Arben Taravari që në titull thotë: “BDI-ja emëron maqedonas të përkujdesen për zbatimin e gjuhës shqipe”. Pa dashur të bëjmë avokatin e BDI-së, A. Taravari e ngatërron emërimin dhe punësimin. Pra, mund të emërohet një funksionar, bie fjala një ministër, një drejtor etj., por në këtë rast është fjala për punësim dhe jo për emërim!

Së dyti, është e pavërtetë kur thotë se janë emëruar maqedonas të përkujdesen për gjuhën shqipe. Por, edhe sikur të ishte e vërtetë kjo gjë, çfarë të keqe do të kishte që fundja edhe maqedonasit të kujdesen për gjuhën shqipe?! Përkundrazi, do të ishte një nder i madh për të gjithë ne. Ka plot maqedonas që kanë mbaruar për gjuhë shqipe dhe janë shumë solidë në punën e tyre.

Së treti, mësa duket zoti A. Taravari ka harruar se cili është roli i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, ndonëse Ligjin e ka votuar edhe partia e tij. Ai thotë se Agjencia e kontrollon zbatimin e gjuhës shqipe. Jo, nuk bën kurrfarë kontrolli, as auditimi, por vetëm u ndihmon institucioneve në zbatimin e ligjit, përkthen dhe lekturon tekste zyrtare, shkresa, akte, dokumente, përgatit raporte për nevojat e qeverisë, jep sqarime dhe udhëzime profesionale, përkujdeset për drejtshkrimin e gjuhës shqipe, bën avancimin e saj etj.

Ndërkaq, kontrollin dhe sanksionimin do ta bëjë së shpejti Inspektorati.
Së katërti, ai vetë thotë se shumica e të punësuarve duhet të jenë shqiptarë, por nga ana tjetër del se është kundër maqedonasve. Ai duhet ta ketë të qartë Balancerin etnik që është një detyrim ligjor, të cilin e zbaton edhe vetë në Komunën që e udhëheq. Për të funksionuar një institucion, nevojiten edhe shumë struktura të tjera, duke filluar nga shërbimet teknike, adiminstrative, juridike, financiare etj.

Natyrisht, të drejtë konkurrimi dhe punësimi kanë të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, por është çështje tjetër pastaj se cili prej tyre i plotëson kushtet ligjore. Në Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës janë ndjekur pikërisht këto kritere. Dhe, për sa i përket kësaj, nuk ka pasur asnjë keqkuptim prej askujt. E vërteta është se në këtë agjenci janë të punësuar vetëm dy maqedonas, të tjerët janë të gjithë shqiptarë.

Së pesti, për sa u përket dy maqedonasve të punësuar në Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës, nuk kanë të bëjnë fare me përkujdesjen, siç thotë A. Taravari, ndaj gjuhës shqipe. Sa për sqarim, ata i kanë plotësuar kushtet ligjore, janë persona shumë të aftë profesionalisht, por nuk punojnë as në fushën e përkthimit e as të lekturimit. Që të dytë e flasin gjuhën shqipe dhe japin ndihmesë në punën e kësaj agjencie.

Së gjashti, sa për dijeni të Arben Taravarit, Sektori i Përkthimit dhe Lekturës në Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës, që është sektori kryesor, është i tëri me shqiptarë, që nga përgjegjësi i tij e deri te përkthyesit dhe lektorët. Pra, nuk ka asnjë të punësuar me përkatësi tjetër etnike.

Së shtati, me keqardhje po themi se Arben Taravari, që paraqitet si mbrojtës i gjuhës shqipe, më mirë do të ishte që vetë të ketë kujdes se si e shkruan atë. Po ia përkujtojmë se “Agjencia për zbatimin e gjuhës shqipe”, siç e shkruan ai, duhet ta shkruajë me shkronja të mëdha “Agjencia për Zbatimin e Gjuhës”; shumësin e fjalës “shqiptar”, duhet ta bëjë me “ë” në fund, pra “shqiptarë”; nacionaliteti “maqedonë” duhet ta shkruajë nacionalitetit “maqedonas”; nacionalitetit “romë” duhet ta shkruajë nacionalitetit “rom” etj.” – thotë Sela.