Shteti i Afrikës lindore, Etiopia, në kuadër të programit hapësinor që e zhvillon me mjetet e veta financiare, për herë të parë do të lançojë satelit në hapësirë.
Drejtori i Institutit të Shkencës dhe Teknologjisë së Hapësirës, Dr. Solomon Belay, në intervistën për Agjencinë e Lajmeve të Etiopisë (ENA), tha se sateliti i parë që do të përdoret në fushat e bujqësisë dhe minierave do të lançohet më 17 dhjetor.
Ai theksoi se falë satelitit vendi do të shpëtojë nga kostoja e sigurimit të pamjeve prej rreth 12 milionë dollarë, duke njoftuar se sateliti ETRSS-1 do të lançohet prej Kinës.
Belay tha se sateliti do të kontrollohet nga një grup inxhinierësh në Observatorinë Entoto që është themeluar në kryeqytetin Addis Ababa.
Vendi i cili pjesën më të madhe të të ardhurave i fiton nga bujqësia dhe blegtoria, ka nevojë për satelit për të zvogëluar ndikimet nga ndryshimi i klimës globale me të cilën përballet në vitet e fundit.
Në Afrikën subsahariane vetëm shtetet si Gana, Nigeria, Afrika e Jugut dhe Ruanda kanë satelitët e tyre në hapësirë.