Armenia shpall armëpushim me Azerbajxhanin

Shteti armen me ndërmjetësimin e Rusisë, ka arritur marrëveshje armëpushimi me Azerbajxhanin.

Dy vendet u përfshinë në përleshje vdekjeprurëse gjatë ditës së martë, përgjatë kufirit të tyre të përbashkët.

“Nën ndërmjetësimin e palës ruse, është arritur marrëveshje për armëpushim në kufirin lindor të Armenisë. Situata është stabilizuar relativisht”, tha Ministria armene e Mbrojtjes.
Sipas saj, së paku një ushtar armen u vra në përleshje, por, sipas raporteve të mëhershme, numri i armenëve të vrarë ishte 15.

Përplasjet vdekjeprurëse përgjatë kufirit filluan rreth një vit pas arritjes së një armëpushimi tjetër, që ndaloi një luftë intensive për kontrollin e rajonit të shkëputur të Nagorno Karabakut.

Azerbajxhani nuk e komentoi publikisht armëpushimin e ri.

Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi tha se forcat e saj kanë parandaluar “provokimet në shkallë të gjerë” të forcave armene, në rrethet Kallbaçar dhe Laçin, në kufi me Armeninë.

Sipas saj, dy ushtarë azerbajxhanas u plagosën, pasi njësitë ushtarake armene përdorën mortaja dhe artileri kundër pozicionit të Azerbajxhanit në kufi.

Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Armenisë tha se ushtarët azerbajxhanas kanë qëlluar në pozicionet e saj përgjatë kufirit, duke përdorur artileri, automjete të blinduara dhe armë.
Ministria po ashtu tha se dy “pozicione luftarake” armene janë humbur.

Sipas saj, edhe forcat e Azerbajxhanit kanë humbur “një numër të konsiderueshëm të automjeteve të blinduara dhe të trupave”.

Armëpushimi u shpall menjëherë pasi Kremlini tha përmes një deklarate se presidenti rus, Vladimir Putin, dhe kryeministri armen, Nikol Pashinian, diskutuan për situatën gjatë një bisede telefonike, më 16 nëntor.

Share:

Leave a Reply

Your email address will not be published.