Butrint Ademi talenti që po mahnitë në futbollin e Kosovës

Me vetëm 11 (16.04.2010) pranvera njomaku Butrint Ademi jo pak ka mbushur vitrinat e tij me mirënjohje dhe kupa e medalje për rezultatet në lojën e futbollit, në të cilin ai u dashurua dhe ka nisë të mishërohet nga mosha 6 vjeçare.

Në vitin 2018 zgjidhet shpresa e futbollit drenicas nga Komuna e Drenasit. Butrinti ka garua me grup-moshat U9, U11, ndërkohë që tash garon për një grup-moshë më të vjetër se saqë ka vite U13 për klubin Feronikeli. Mori pjesë në shumë turne e në veçanti duhet veçuar pjesëmarrjen në Turneun Internacional Soccer Cup në Tiranë ku Butrinti u shpall lojtari më i mirë i turneut në një konkurrencë të jashtëzakonshme.

Po kush është ky talent i ri që po vjen në nënqiellin e Kosovës dhe ku të gjithë po flasin për lojën dhe aftësitë e tij?

Njohësit e futbollit thonë se aftësitë e tij në fushë janë të jashtëzakonshme. Di të parashikojë me intuitë lëvizjet e kundërshtarit. Është tamam shahist i transplantuar në fushë, në një skakierë të gjelbër kur lëvizjet bëhen me këmbë, por studiohen me tru.

Është një regjisor i vërtetë. Di kur ta qetësojë lojën dhe kur ta ndezë. Zotëron topin dhe mesfushën me një dinakëri dhe fuqi të jashtëzakonshme Shpërthen furishëm me depërtime të befasishme dhe gjuajtje të sakta sa të bashkëlojtarët sa drejt portës rivale.

Të gjithë flasin më një zë shënojeni emrin e tij në notes, një ditë mund të ju hyjë në përdorim.

Thonë për te se me të marrë topin, mund të nxjerrë krehrin nga xhepi, të krehë flokët dhe të niset me një shpejtësi duke e vënë kundërshtarin në një pozitë qesharake. Thonë gjithashtu se arrin ta mashtrojë rivalin me top në një sipërfaqe prej një monedhe metalike. Një dirigjent i valsit vjenez me top në fushën e gjelbër.

të gjithë ata që e panë tek po luante, trajnerët, gazetarët por edhe adhuruesit u pajtuan në një mendje se ky shpejt do të rritet në një futbollist të mirëfilltë. Dhe nuk po gabohen fare.

Mbase Butrinti ka a gjene sportive ngase gjyshi tij ishte me dekada hendbollist i shquar. Ai krahas futbollit, nuk lë anash mësimet. Është nxënës i mirë, i urtë e i dashur ndër shokë.

Butrinti në bashkëbisedim nuk fsheh dëshirën e tij që një ditë të veshë fanellën e Kombëtares së Kosovës. Ai falënderon familjen, trajnerët dhe shokët që po i ndihmojnë të jetë i mirë dhe i suksesshëm.

Duke i dëshiruar suksese ky djalosh falënderon gazetën kombëtare “Bota sot”, gazetë kjo që gjithmonë promovon vlerat e talentve të rinj.

WWW.EXPRESS.MK

Share: