Elia Zaharia flet për herë të parë për depresionin pas lindjes: Nuk e kam përjetuar lehtë

Geraldina e vogël, vajza e Elia Zaharias dhe Princ Lekës, disa javë më parë ka festuar ditëlindjen e parë në një rreth të ngushtë familjarësh e miqsh të çiftit. Një vit i bukur, por edhe i lodhshëm për Elian, aktoren e njohur të teatrit, e cila sot ka ndarë me publikun disa nga përjetimet e vitit të parë të mëmësisë.

E ftuar në “Rudina”, pasditen e sotme, së bashku me Princin Leka, Elia tregoi se përgjatë këtij viti ata të dy i janë përkushtuar plotësisht vajzës së tyre të vogël. Natyrisht, pa lënë mënjanë edhe angazhimet profesionale, të dyve u është dashur të bëjnë edhe sakrifica.

Por mbështetje e madhe e këtij viti ka qenë edhe gjyshja e Geraldinës, aktorja e madhe Yllka Mujo, e cila, siç rrëfeu Elia, bëhet po aq bebe sa vogëlushja sa herë gjendet para saj.

Duke folur për të emën, Elia tha se ajo ka qenë një mbështetje shumë e madhe për të, sidomos në periudhën pas lindjes, e cila për të nuk ka kaluar lehtë. Për herë të parë në publik, Elia rrëfeu se për disa muaj me radhë, postpartum për të ka qenë një periudhë e vështirë, por një mbështetje e jashtëzakonshme për të dalë nga ajo gjendje ka qenë e ëma.  

“Dua ta cekim këtë pak, është e rëndësishme, ndoshta edhe si mesazh. Gjithmonë kur flasim për ardhjen e një fëmije, përpos anës së lumturisë së madhe që ka çifti dhe familja që mirëpret një bebe të vogël, shumë pak flitet edhe për pjesën e vështirë të postpartum, domethënë për pjesën e trazirave emocionale që përjeton njeriu në atë periudhë. Jo të gjithë e përjetojnë, por disa e përjetojnë. Unë nuk e kam përjetuar lehtë. Kanë qenë emocione të miksuara të lumturisë së madhe, por ndoshta edhe lodhja, edhe mungesa e gjumit dhe të gjitha gjërat bashkë që sollën një periudhë disamujore jo të thjeshtë dhe është shumë e rëndësishme të kesh njerëz pozitivë afër. Mami ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm për të më nxjerrë nga ajo gjendje. Nuk është turp të kërkosh ndihmë, çdo lloj ndihme në në ato momente është e mirëpritur, sikur edhe dikush që gatuan për ty apo dikush që ta mban beben 1-2 orë sa ti të flesh. Është shumë e rëndësishme kjo… “

WWW.EXPRESS.MK

Share: