Kështu mund ta trajtoni morthin e dimrit në mënyra natyrale

Ju shfaqet morthi gjatë dimrit? Ja si ta trajtoni.

Morthi (pernio) është një patologji që shfaqet kryesisht në moshat e reja dhe në personat që vuajnë nga qarkullimi i dobët periferik i gjakut. Kjo patologji shfaqet kryesisht në periudhën e dimrit, ku temperaturat janë të ulëta. Përgjithësisht morthi lokalizohet në duar, këmbë, vesh, hundë dhe në faqe (sidomos në fëmijët e ushqyer keq) dhe favorizohet prej lagështirës.

Pacientët kanë një edemë (fryrje) të lehtë të gishtave të duarve apo të këmbëve, dhe shpesh nuk e dinë që vuajnë nga një patologji e tillë. Këtë e kuptojnë më vonë, kur edema bëhet më e theksuar, fillojnë që duart të dhembin, të djegin, ndërsa zonat e prekura fillojnë e skuqen.

Kjo vjen si rezultat i stazës së gjakut (grumbullimit të gjakut) nga mosfunksionimi i mirë i qarkullimit. Edemë dhe skuqje në gishtat e këmbës. Gjatë ekspozimit në të ftohtë kapilarët e gjakut në lëkurë dëmtohen dhe nuk funksionojnë ashtu sikurse duhet dhe, si rezultat, lëkura fillon të skuqet, të enjtet, si dhe fillojnë kruajtjet si rezultat i inflamacionit.

Morthi është një patologji e lëkurës që përgjithësisht nuk ka një shkak të njohur (mund të jetë idiopatike), por mund të jetë edhe një manifestim i një gjendje të rëndë shëndetësore që duhet të diagnostikohet. Një histori e morthit sugjeron edhe për një sëmundje të indit lidhor (siç mund të jetë lupus erythematous).

Arsyeja e saktë e morthit është ende e paqartë. Ajo ka të bëjë kryesisht me një reagim jonormal të trupit gjatë ekspozimit në të ftohtë, ndjekur nga ringrohja e trupit. Ringrohja e lëkurës se ftohtë bën që enët e vogla të gjakut nën lëkurë të zgjerohen më shpejtë dhe gjaku të ngelet në indet përreth, duke e skuqur dhe ënjtur zonën e lëkurës përreth.

Edemë dhe skuqje në gishtat e duarve

Faktorët predispozues të morthit.

· Ekspozimi i lëkurës në të ftohtë. Personat që ekspozohen ndaj të ftohtit, lagështirës, kanë më shumë gjasa për të zhvilluar morthin.

· Të jesh femër. Femrat kanë më shumë gjasa që të kenë morth dhe kjo për një arsye ende të panjohur .

· Njerëzit nënpeshë. Njerëzit që peshojnë rreth 20% më pak se pesha normale priren të vuajnë nga morthi.

· Vendi ku ju jetoni. Në mënyrë paradoksale, njerëzit që jetojnë në vende shumë të ftohta kanë më pak gjasa të vuajnë nga morthi, sepse kushtet e jetesës dhe veshjet e përdorura në këto zona janë më mbrojtëse kundër të ftohtit. Por, në qoftë se jetoni në një zonë me lagështi të lartë dhe temperatura relativisht të ulura rreziku për të zhvilluar morth është më i lartë.

· Morthi është më i zakonshëm në dimër dhe fillim të pranverës. Morthi shpesh zhduket krejtësisht në pranverë.

· Qarkullimi i dobët i gjakut. Njerëzit me qarkullim të dobët të gjakut kanë tendencë të jenë më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të temperaturës, duke i bërë ata më të ndjeshëm ndaj morthit.

· Fenomeni Raynaud. Njerëzit të diagnostikuar me fenomenin Raynaud janë më të prirur që të shfaqin morthin.

Mjekimi i morthit

· Përdorimi lokalisht në lëkurë i pomadava me bazë kortizoni, që ndihmojnë në lehtësimin e kruajtjeve dhe ënjtjes.

· Aplikimi i vazhdueshëm dhe i përditshëm i pomadave emoliente zbutëse dhe hidratuese për duart.

· Përdorimi i medikamenteve vazodilatatore ( zgjeruesit e enëve të gjakut) si adalati ( nifedipina) apo diltiazemi. Zgjerimi i enëve të gjakut redukton dhimbjen dhe çon në një shërim më të shpejtë.

· Përdorimi i medikamenteve që ndihmojnë në përmirësimin e fluksit të gjakut, siç është pentoxifylline (Trental).

· Përdorimi i multivitaminave të ndryshme me bazë kalciumi dhe vitamine D, C.

WWW.EXPRESS.MK

Share: