Tre persona të arrestuar në Vlorë dhe një në kërkim, zbardhet ngjarja

Policia e Vlorës ka arrestuar tre persona ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim pasi akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Mësohet se B.Y., 34 vjeç, është prangosur pasi iu gjet 1.2 kg kanabis, një sasi e vogël heroine dhe fishek luftarak. Sakaq, lidhur me rastin policia ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e 34-vjeçarit.

Blutë e Vlorës bëjnë me dije se një 27-vjeçar me inicialet E.T., dhe 24-vjeçari me inicialet Gj.K., u prangosën gjithashtu, pasi njëri u kap me kanabis dhe tjetri me kokainë.

Njoftimi i Policisë: 

DVP Vlorë/Vijon puna e pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Sekuestrohen 1.2 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar heroinë dhe një sasi municioni luftarak.

Vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij. Në pranga dhe 2 shtetas të tjerë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në zbatim të planit të masave për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, pas informacioneve të marra në rrugë operative se dy shtetas mbanin lëndë narkotike, kanë organizuar punën për kapjen e tyre. Si rezultat është arrestuar në flagrancë shtetasi: 

-B. Y., 34 vjeç, banues në Vlorë.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit H. B., 26 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në një kabinë druri, në lagjen “1 Maji”, në përdorim nga këta shtetas, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 1.2 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, një sasi të vogël lëndë narkotike e dyshuar heroinë dhe fishekë luftarak.

– – – – – –

Po nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasit:

-E. T., 27 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan një sasi lënde narkotike cannabis sativa;

-Gj. K., 24 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan një sasi lëndë narkotike kokainë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Share: