UT ndau bursa për studentët ekselentë

Në Universitetin e Tetovës sot përmes një ceremonie solemne u bë ndarja e bursave për studentët me sukses të dalluar. Për vitin akademik 2021/22 bursa përfituan rreth 90 studentë që i ndjekin studimet e ciklit të parë dhe të dytë.Studentëve me fjalë përshëndetëse iu drejtua prorektori për arsim i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Reshat Qahili. Ai në fjalën e tij tha se Universiteti i Tetovës, si vatra e arsimit të lartë në gjuhën shqipe dhe qendra e hulumtimit në vendin tonë e më gjerë, për çdo vit i realizon prioritetet e veprimtarisë akademike, dhe në këtë mënyrë shënon rezultatet konkrete në lëmin e arsimimit, edukimit dhe kërkimit shkencor. “Në këtë muaj që njihet edhe si muaji i ngjarjeve të mëdha për historinë tonë kombëtare, siç janë Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe i Flamurit tonë kombëtar, krahas aktiviteteve të tjera që zhvillohen në Universitet, ndarja e bursave për ekselentët tanë, tashmë zë vendin e merituar, dhe si e tillë, paraqet një nga sukseset tona të përbashkëta. Me këtë rast, dekanëve të fakulteteve, profesorëve, studentëve, punonjësve të administratës, Ju shpreh urimet e mia për këtë aktivitet që sot e organizojmë, si njëra nga ngjarjet më të veçanta në veprimtarinë e përgjithshme të Universitetit të Tetovës. Me kontributin e përbashkët, përkushtim dhe angazhim serioz të secilit prej nesh, kemi arritur t’i përmbushim pritshmëritë në arsim dhe shkencë, ndaj, ndarja e bursave për studentët e dalluar është dëshmia e vërtetë se Universiteti ynë identifikohet si institucioni i garës për dije, i konkurrencës, por edhe i mundësive të mëdha” – tha prorektori për arsim i UT-së Prof. Dr. Reshat Qahili.Ai më tej deklaroi se, në përputhje me Ligjin për arsimin e lartë, Statutin e Universitetit dhe me vendim të Senatit, të miratuar nga Rektori, ne sot i ndajmë bursat universitare për 64 studentë të ciklit të parë dhe 22 studentë të cilit të dytë në vitin akademik 2021/22.Në ndarjen e bursave të studentëve të pranishëm ishin edhe prorektori për shkencë Prof. Dr. Hazir Pollozhani, prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar Prof. Dr. Shefik Shehu, kryetarja e Parlamentit Studentor Eliesa Zhaku, dekanë si dhe familjarë të studentëve.

Share: