Vreshtarët nuk këndellen as në Prizren

Bashkimi ka shënuar fitore ndaj Rahovecit me rezultat 87:65 (28:25, 21:18, 18:12, 20:10), në kuadër të javës të 11-të në Art Motion Superligën e Kosovës në basketboll.

Mysafirët e nisën ndeshjen më mirë, duke pasur shtatë pikë dallim 14:21, por më pas rikthehen vendasit për të përmbyllur çerekun e parë me rezultat 28:25. Periudha e dytë ishte interesante, por tek rezultati 29:29, prizrenasit hyn në një seri prej 10:0 për rezultatin 39:29, megjithatë Vreshtarët nuk dorëzohen duke afruar shifrat në 45:43, kurse pjesa e parë përfundon me rezultat 49:43.

Basketbollistët e Bashkimit e nisën furishëm pjesën e dytë, përkatësisht periudhën e tretë, duke arritur epërsinë më të madhe, 65:48 dhe e menaxhuan epërsinë, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 67:55. Bashkimi ishte bindshëm më i mirë në dhjetë minutat e fundit, 20:10, për të triumfuar në fund me rezultat 87:65.

Te Bashkimi u dalluan Avi Tomer me 24 pikë e nëntë kërcime dhe Julien Lewis me 22 pikë e 10 kërcime, kurse te Rahoveci nga 14 pikë shënuan Musab Mala dhe Milik Yarbough, ndërsa 12 shtoi Fisnik Rugova.

Bashkimi ka gjashtë fitore dhe pesë humbje, kurse Rahoveci dy fitore dhe nëntë humbje.

WWW.EXPRESS.MK

Share: