Të shpresojmë se Rama do t’i japë pamje moderne Prishtinës

Njësoj sikurse kryebashkiaku Rama i Tiranës që dikur e ndryshoi tërësisht Tiranën dhe nga qyteti me shëmti nga ndërtimet e vjetra dhe të bëra dosido, e bëri qytet modern dhe evropian, po ashtu edhe Rama i Prishtinës, një arkitekt i madh, modern dhe evropian, shpresojmë se do ta ndryshojë Prishtinën me pamjet mahnitëse me dekorime moderne, sikurse që ka Shkupi sot, por edhe qytetet tjera evropiane.

Pos disa muraleve të arrira në kryeqytet, asgjë nuk është bërë në Prishtinë në drejtim të dekorit dhe dekorimit të kryeqytetit, ashtu siç e meriton Prishtina. Madje, çuditërisht, kryetari i deritanishëm Shpend Ahmeti, nuk bëri gjë në këtë drejtim të dekorimit të kryeqytetit. Madje, jo që nuk u bë ndonjë fontanë me dekore të nivelit të lartë, por madje as një shtyllë dekorative nuk e ka Prishtina!

Të shpresojmë që kryetari i posazgjedhur me vota nga populli, do ta ndryshojë Prishtinën në të mirë me pamjen e saj të një qyteti modern, sidomos në dekorimin e saj, gjë që i ka munguar Prishtinës qe 22 vite.

Shumë kryetarë pati Prishtina, por asnjëri prej tyre nuk u kujtua që të bënte dekorimin e Prishtinës me dekore të mëdha dhe moderne, ngjashëm sikur që ka bërë Shkupi apo edhe qytetet tjera në rajon. Posa e sheh njeriu Shkupin menjëherë e kupton pa e pyetur fare askend se është kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut.

Nëse një turist vjen në Prishtinë, me çka do ta kuptonte nga pamja se është kryeqytet? Vetëm me semaforë, sigurisht se jo, sepse semaforë kanë edhe qytetet tjera në Kosovë. Prishtina ka një fontanë te Pallati i Rinisë, por që nuk funksionon, ka një fontanë në rreth te Komuna e vjetër e Prishtinës, që herë pas herë funksionon, ka një fontanë në Ulpianë, që më shumë nuk funksionon, dhe më nuk ka.

Kryeqyteti Prishtinë mjerisht nuk ka lum natyror e as artificial, por madje nuk ka as dekorime me shtylla dekorative dhe dekore të tjera interesante artistike që do të ishin tërheqëse për syrin e njeriut dhe sidomos të të huajve që do të vizitonin Prishtinën. Dekorimi i një niveli të lartë i Prishtinës vërtet është një mungesë e madhe.

Për pamjen e Prishtinës, për dekorimin e saj, do të ishte mirë të hapej konkurs, por edhe të merreshin propozimet e qytetarëve se si ata e dëshirojnë dekorimin e qytetit dhe ku? Gjithashtu arkitektët, por edhe Fakulteti i Arkitekturës dhe studentët e tij të angazhoheshin kryesisht në dekoret dhe dekorimin e Prishtinës.

Këtë do të duhej ta bënte sa më parë arkitekti evrpopian, kryetari i posazgjedhur i Prishtinës, Përparim Rama. Të shohim se çfarë do të bëj ai në këtë drejtim, në dekorimin e Prishtinës dhe në ndryshimin e pamjes së Prishtinës, meqë ai edhe ka premtuar një gjë të tillë ‘se do ta ndryshojë pamjen e Prushtinës’.

WWW.EXPRESS.MK

Share: