Projekti pilot për jetimoret, Manastirliu: Busulla që na orienton, interesi i fëmijëve

“Plani kombëtar për deinstitucionalizmin synon që çdo fëmijë të ketë një familje. Kur kjo nuk është e mundur, patjetër që janë institucionet tona që do të presin, trajtojnë dhe të përmbushin çdo nevojë që fëmija ka. Qendrat rezidenciale do të vijojnë të qëndrojnë dhe do të transformohen, duke u fuqizuar dhe duke shtuar shërbime të reja, duke i sjellë më afër fëmijëve, por edhe familjeve”.

Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë një takimi me përfaqësues të institucioneve të kujdesit social dhe organizmave ndërkombëtarë si UNICEF, Delegacioni i Bashkimit Europian, Save the Children, përfaqësues të pushtetit vendor e shoqërisë civile, për Planin Kombëtar të Deinstitucionalizimit.

Deklaratat e ministres vijnë ndërkohë që KLSH ka nisur një auditim në lidhje me projektin pilot për mbylljen e jetimoreve në vend që ka shkaktuar mjaft shqetësim në opinionin publik ditët e fundit.

Në fjalën e saj Manastirliu tha sot se qëllimi i këtij plani është që të sigurojë që kurdo kur është e mundur, fëmijët të rriten në një mjedis familjar, duke fuqizuar familjen.

“Qëllimi ynë primar është parandalimi i ndarjes së fëmijës nga familja, ndaj fokusi është fuqizimi i bërthamës familjare, përmes mbështetjes në një aspekt shumë planësh, nga mbështetja ekonomike tek ajo sociale. Gjithashtu ofrimi i kujdesit alternativ profesional nëpërmjet shërbimeve të menaxhuara nga strukturat në nivel vendor dhe qendror, si dhe krijimit të rrjetit të familjeve kujdestare, mbetet një tjetër objektiv që po adresojmë në këtë plan”, tha Manastirliu.

Duke folur për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj fëmijëve, Manastirliu bëri me dije se është miratuar Agjenda Kombëtare për të Drejtat e Fëmiëjve që synon t’u japë zgjidhje sfidave më domethënëse për sa i përket të drejtave të fëmijëve.

“Qeveria Shqiptare miratoi Agjendën Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, një agjendë 5-vjeçare, e cila synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për fëmijët në të gjitha fushat. Ajo parashtron parimet për një rol edhe më aktiv në promovimin dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve, me fokus tek parandalimi. Axhenda përmban politikat që ne synojmë për fëmijët që jetojnë në zonat urbane dhe rurale, e atyre në shkollë dhe jo në shkollë, e fëmijëve që aktualisht jetojnë në familje dhe atyre që duhet të bashkohen me familjet e tyre. Interesi më i lartë i fëmijëve, është busulla që na orienton në politikat dhe programet që ndërmarrim”, tha Manastirliu.

Sipas saj, institucionet e përkujdesit shoqëror, në kuadër të Planit të Deinstitucionalizimit, po punojnë për të krijuar modele për shërbime të reja alternative për fëmijët. Aty ku është e mundur, sipas planeve individuale, do të fuqizohen familjet biologjike në një proces të plotë mbështetjeje, me synimin për të kthyer fëmijët pranë tyre, rast pas rasti. Modelet e reja të shërbimeve alternative do të hartohen duke pasur në fokus interesin më të lartë të fëmijës.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nisur një auditim përputhshmërie dhe vlerësues duke pasur në fokus planin kombëtar për deinstitucionalizimin e institucioneve 2020-2021. Kontrolli tashmë ka nisur në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe në Drejtorinë e përgjithshme të Shërbimit Social ku do verifikohen të gjitha hallkat e kësaj procedure.

Mësohet se KLSH do të verifikojë formën dhe mënyrën e zhvillimit të projektit ku e ardhmja e fëmijëve jetim është në fokusin kryesor të këtij kontrolli, për të garantuar jetesën e tyre. Kujtojmë se fëmijët e Shtëpisë së Fëmijëve deri në dhjetor do detyrohen të kthehen në shtëpitë biologjike apo të birësuara, për shkak i aplikimit të një projekti pilot, i cili do të aplikohet për fuqizimin e familjeve dhe njehsimin e ligjit sipas modelit holandez.

Share: