Situata në PD, Lubonja: Hapësirë për debat, por lufta mes njeri-tjetrit ul rezistencën ndaj regjimit

Analisti Fatos Lubonja mendon se situata në debat dhe akuzat mes palëve ka sjellë një hapësirë për debat, por sipas tij lufta mes njeri-tjetrit zbeh rezistencën ndaj regjimit.

I ftuar në “Opinion” në News24, Lubonja deklaroi se nuk e beson as tezën se PD do të jetë më e fortë pas pastrimit nga mbështetësit e Berishës dhe me mbështetjen amerikane. Ai theksoi se opozita po bëhet më fasadë se kurrë e një regjimi.

“Duhet të përkufizojmë se çfarë kuptojmë me demokraci. Demokracia është e kundërta e vendosjes nga një oligarki, ose plutokraci. Problemi ynë historik është që ne s’kemi pasur demokraci në këto parti, ashtu sikurse nuk kemi pasur demokraci në vendin tonë, në kuptimin që këtu e kapin pushtetin njerëz të ndryshëm. Demokracia nuk zhvillohet. Kur themi demokraci duhet të kuptojmë që sa më shumë zëra që diskutojnë, sa më shumë debate, sa më shumë opinione sillen në një forum të caktuar aq më mirë është dhe për një vendimmarrje të ekuilibruar.

Tek PD, mendoj që Basha është vazhdim i një lideri që nuk ka respektuar demokracinë e brendshme, që ishte Berisha më herët, ka vendosur vetë. Kur themi demokraci që vendos një lider, kemi parasysh dhe ata poshtë që janë të gatshëm të nënshtrohen.
Kjo është tradita që e shohim tek PD. Mendoj që Basha këtë traditë e vazhdoi dhe kur mori vendimin për Berishën. Nga ana tjetër Berisha edhe pse ka këtë traditë, është bartës i kësaj tradite, nuk është se reflekton për këtë, por kthehet sepse tani i duhet demokracia. Nuk pres dhe as mendoj që kjo do ta bëjë partinë më demokratike për shkak të dy liderëve, por hap një hapësirë debati”, tha Lubonja.

Ai arsyetoi se ndarja në dy liderë automatikisht është minimumi ndarje përgjysmë dhe se kjo luftë do mbarojë me një gjysmë të eliminuar.

“Lufta me njeri-tjetrin është marrje krejtësisht energjie për rezistencën ndaj maxhorancës në pushtet. Sa vazhdon kjo luftë, mendoj që do vazhdojë gjatë. Por edhe nëse mbaron shpejt do mbarojë me një gjysmë të eliminuar. Një gjysmë e eliminuar është gjysmë e asaj që ishte. Të dy palët kanë ngarkesa të mëdha.
Berisha ka handikapet e veta, ca të kaluarën, ca që në një farë mënyre është i konsumuar si lider. I është dhënë dy herë mundësia të bëjë mirë dhe ka rënë pjesë e sistemit. Plus ka dhe këtë mungesën e mbështetjes ndërkombëtare se tani amerikanët s’mund t’i eliminojmë si lojtarë dhe pse unë mendoj se kanë bërë një veprim krejtësisht jo demokratik që nuk i mëson shqiptarët të bëhen demokratikë. Rezultati, rezistenca shumë më e dobët. Opozita më fasadë se kurrë e një regjimi. Një opozitë që nuk premton asgjë që të kthehet në pushtet. Ka një opsion që sipas disa tani që e pastrojmë nga Saliu dhe nga të vetët, tani mund të fillojmë, kemi dhe mbështetjen amerikane dhe PD do forcohet. Unë nuk e besoj këtë. Ata që kanë ngelur dhe ata që ishin janë pak a shumë i njëjti brumë. Partinë antisistem nuk e kthen dot sepse sistemi është i fortë. Ndërkohë që kishim nevojë për një opozitë që të bashkonte jo vetëm PD-në, por dhe LSI dhe gjithë të tjerët, në vend të asaj kemi shkërmoqjen e gjithë këtyre në copa-copa”,
tha Lubonja.

Po çfarë mbetet pas kësaj çarjeje të PD-së, a do ketë forca të reja që do mbushin boshllëkun? Lubonja mendon se jo, pasi siç thotë ai nuk funksionon demokracia.

“Unë nuk i besoj teorisë që mbushet boshllëku. Teoria tregon që duhet të jetë sistemi që mbush boshllëkun. Kur një forcë e caktuar e ndërpret atë komunikimin mes dy enëve, atëherë ngelet bosh. Duhet të ishte një sistem demokratik që të mbushej. Në Bullgari dolën ata dy të rinjtë dhe fituan zgjedhjet.
Në Rumani është një lëvizje që ka lindur siç ishte lëvizja e teatrit, morën 12% kur hynë në zgjedhje. Kjo nuk ndodh në Shqipëri, pjesërisht mund tua vëmë fajin shqiptarëve, janë mësuar me një lider, por unë gjykoj se nuk është vetëm kjo, por edhe puna sistematike që ka bërë Rama me të vetët për t’i demoralizuar njerëzit.
Boshllëku do mbushet me materialin që ishte këtej. Po nuk pate pushtet sfilitesh dhe më. Ai që ka pushtet, i ka të gjithë me vete. Ai që s’ka copëtohet, prishet dhe më në vendet ku nuk funksionon demokracia dhe ne jemi kështu
”, deklaroi Lubonja.

Share: