Më shumë kujdes e dashuri për qenien hyjnore fëmijë

Në datën e sotme, 20 nëntor, por 32 vjet më parë (në vitin 1989), nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara u miratua Konventa për të Drejtat e Fëmijës. Ndërsa, Kuvendi i Republikës së Kosovës të drejtat dhe liritë e fëmijës arriti t’i përmbledh në një ligj tek në vitin 2019, LIGJI NR. 06/L-084 PËR MBROJTJEN E FËMIJËS, i cili hyri në fuqi në muajin korrik të vitit 2020.

Sot jetojmë në liri, kemi akte juridike në fuqi të cilat përcaktojnë e garantojnë mbrojtjen e fëmijës, si bërthamë e familjes dhe e tërë shoqërisë, por shumë nga dispozitat ligjore nuk gjejnë zbatim, e mbrojtja e fëmijëve dhe respektimi i të drejtave dhe i lirive të tyre mbetet ende temë diskutimi e çështje që do angazhim e vullnet për të vepruar edhe më shumë.

Prandaj, duke parë gjendjen e fëmijëve, në çdo aspekt të jetës, dhe duke parë sheshazi mosrespektimin e të drejtave dhe të lirive të fëmijës, si dhe mbrojtjen e pamjaftueshme që i bëhet, kemi obligim e gjithë shoqëria: fëmijëve t’u krijojmë kushte për jetë të dinjitetshme, t’i respektojmë ata, t’i mbrojmë e t’u japim mësim e forcë për të ardhmen e ndritshme të tyre!

Mendoj e porosis:

-Fytyra e vërtetë e njeriut është raporti që ka me fëmijën.

-Çdo fëmijë është një trëndafil në kopshtin e lumturisë sonë.

-Merrni pak butësi nga fëmijët e jepuni atyre shumë përkushtim!

– Mos harroni se, fëmijët dhe lulet pasqyrojnë  kujdesin që marrin!

– Mësojini fëmijët si t’i thellojnë rrënjët e përgjegjësisë për jetën e si t’i forcojnë krahët e pathyeshëm për pavarësinë e tyre!

– Fëmijës mos ia mbillni ndjenjën e urrejtjes, por atë të dashurisë, sepse një ditë do ta korrni atë çfarë keni mbjell!

Më shumë kujdes e dashuri për qenien hyjnore FËMIJË!

WWW.EXPRESS.MK

Share: