Nuk mori pjesë në mbledhjen e Kryesisë, Basha shkarkon sekretaren e PD-së

Sekretarja e Partisë Demokratike për degën e Sarandës, Matilda Qurku, është shkarkuar nga detyra për shkak se nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e Kryesisë të programuar për ditën e sotme.

Por në mbledhjen e Kryesisë Qurku nuk ishte e vetmja që mungoi, sepse kjo mbledhje u bojkotua nga pjesa më e madhe e anëtarëve, pasi morën pjesë vetëm 13 nga 35.

Lajmin e shkarkimit nga detyra e bën vetë me dije Qurku në një postim në rrjetet sociale, teksa shpjegon se ka munguar në këtë mbledhje për arsye familjare. Gjithashtu ajo del kundër Bashës dhe Gazment Bardhit, duke i quajtur “pengmarrësit e vulës dhe selisë qendrore”.

“Dega e Sarandës sot ka patur një mbledhje Kryesie me rendin e njoftuar më poshtë (fotua bashkë ngjitur)

Në këtë mbledhje unë nuk pata mundësi të marr pjesë për arsye familjare por sapo më njofton një anëtarë Kryesie prezent në mbledhje që qenkam shkarkuar dhe paskan bërë edhe propozime për zëvendësimin e pozicionit tim ..

Zyrtarisht nuk kam asnjë njoftim nga pengmarrësit e vulës dhe selisë qendrore, por asnjë problem..

Ndihem e nderuar që më kanë shkarkuar pasi zgjodha të jem në krah të demokratëve dhe jo servile…

Shihemi në datën 11 Dhjetor në Kuvendin e Demokratëve”, shkruan Qurku.

Share: