Sërish kryetar i Podujevës/Bulliqi flet për koalicionet e mundshme, tregon arsyet që sollën rezultatin e VV-së

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Shpejtim Bulliqi ka fituar zgjedhjet lokale në raundin e dytë me 14 nëntor.

Ai mposhti kundërkandidatin nga radhët e LDK-së, Ekrem Hysenin.

Në një intervistë për “Bota sot”, ai ka folur për fitoren dhe për punët që do t’i bëjë në Podujevë.

Sa i përket koaliconeve, Bulliqi ka thënë se do të jetë i hapur e bashkëpunues me të gjithë.

Derisa për fitoren në raundin e dytë e jo të parin, e arsyeton duke thënë se ndoshta nuk kanë punuar mjaftueshëm.

Ai ka siguruar qytetarët e Podujevës që nga qeverisja e tyre të presin trajtim të barabartë dhe shërbime efikase.

Ndërsa në anën tjetër, për rezultatin e VV-së ka thënë se do të ulen dhe analizojnë shkaqet, derisa ka përmendur dhe sulmet ndaj figurave qendrore të partisë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Bulliqi cili është komenti juaj për fitoren në Podujevë, sa e vështirë ishte arritja e fitores?

Shpejtim Bulliqi: Sa i përket fitores sonë, në raundin e dytë ne kemi punuar jashtëzakonisht shumë, e gjithë struktura është aktivizuar dhe kemi kontaktuar shumë qytetarët dhe ia kemi dalë të korrim sukses.

“Bota sot”: A ishte një fitore më vështirë e arritshme se kur u zgjodhët herën e parë, edhe pse ishte fitore pa balotazh?

Shpejtim Bulliqi: Fitorja e tanishme ka kërkuar mund e angazhim më të madh të secilit sepse edhe fushata ishte më e gjatë, por jam i lumtur sot që përpjekja jonë e përditshme në takimet me qytetarë duke prezantuar punët e mira dhe zotimet tona për mandatin e plotë pati sukses.

“Bota sot”: Në raundin e parë zgjedhor të 17 tetorit nuk dolët të parët, a kishit dyshime se mund të ndodhte e njëjta gjë në balotazh?

Shpejtim Bulliqi: Në raundin e parë ne nuk kemi punuar ndoshta mjaftueshëm në fushatë dhe kemi besuar që puna jonë e mirë e qeverisjes për këta muaj do të ndikojë që të fitojmë pa ndonjë telashe të madhe në zgjedhjet e 17 tetorit. Gjithashtu matjet që ishin bërë disa herë në Komunën e Podujevës na nxirrnin fitues të padiskutueshëm, andaj kjo ka ndikuar paksa të jemi më pasiv e kjo na dërgoi në rezultat jo të kënaqshëm në raundin e parë.

“Bota sot”: Cilët janë faktorët që çuan në këtë lloj vështirësie për fitore?

Shpejtim Bulliqi: I përmenda disa prej shkaqeve kryesore më lart.

“Bota sot”: Nga erdhën këto vështirësi, që LVV jo vetëm ka fituar më së paku komuna, por ka një rrjedhje tepër të madhe të votave krahasuar me zgjedhjet e fundit nacionale, pavarësisht natyrës së ndryshme?

Shpejtim Bulliqi: Nuk mund të krahasohen zgjedhjet nacionale me ato lokale. Përkundër kësaj ne si subjekt politik duhet të ulemi e t’i analizojmë shkaqet që kanë dërguar deri tek ky rezultat jo i kënaqshëm në zgjedhjet lokale. Po ashtu lufta speciale që është zhvilluar ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! në nivel nacional e sulmet e përditshme ndaj figurave qendrore nga ana e mediave e bizneseve e rrjetit të strukturar që i kanë humbur disa prej privilegjeve nga pushtetet e kaluara ka pasur efekt në këtë rezultat.

“Bota sot”: Çfarë duhet të presin qytetarët nga qeverisja juaj?

Shpejtim Bulliqi: Qytetarët e Podujevës duhet të presin nga qeverisja jonë trajtim të barabartë dhe shërbime efikase.

“Bota sot”: A keni plan të bëni koalicion me ndonjë parti për ta krijuar shumicën në Kuvend?

Shpejtim Bulliqi: Ne do t’i analizojmë rrethanat që gjendemi dhe të shohim se me kë mund të bashkëpunojmë më lehtë për të implementuar programin tonë qeverisës.

“Bota sot: Cilat janë disa nga projektet që do t’i jetësoni në mandatin tuaj?

Shpejtim Bulliqi: Ato që kemi prezantuar gjatë fushatës zgjedhore janë projektet kryesore që do të jenë edhe puna jonë e përditshme për t’i realizuar si: urgjenca e qytetit, zona industriale, parkingu nëntoksor, dixhitalizimi i institucioneve arsimore etj.

“Bota sot”: Keni thënë se “Vullneti qytetar nuk përmbyset nga paratë e pista”, për kë e kishit fjalën, kush mendoni se ka bërë gjëra të tilla?

Shpejtim Bulliqi: E kisha fjalën për bizneset dhe biznesmenët që kanë investuar shumë para kundrejt nesh për të na mposhtur në këtë garë zgjedhore, me qëllimin e përfitimit të tyre personal në rast të fitores së kundërkandidatit.

“Bota sot”: Si e komentoni dorëheqjen e kryetarit të degës në Podujevë, dhe si do të vazhdohet, është gjetur pasuesi?

Shpejtim Bulliqi: Dorëheqja e kryetarit të Qendrës, z. Bajram Ajeti na pikëlloi të gjithëve, sepse kontributi i tij ishte i madh në forcimin dhe zgjerimin e organizatës tonë, por ai e ka bërë një moshë dhe pasi kemi korrur sukses e ka konsideruar të rrugës t’i përkushtohet më shumë familjes e miqve.

“Bota sot”: Cilat do të jenë raportet apo marrëdhëniet e juaja me partitë, që humbën?

Shpejtim Bulliqi: Unë do të jem konstruktiv me të gjitha subjektet politike sepse ato përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve dhe të punojë me të gjithë në interes të shtyrjes përpara të projekteve të rëndësishme për komunën tonë.

“Bota sot”: Me cilën mendoni ta keni partner në qeverisje?

Shpejtim Bulliqi: Ende nuk është vendosur një gjë e tillë, por do të jem i hapur e bashkëpunues me të gjithë.

WWW.EXPRESS.MK

Share: