Nuk ndalet rritja e çmimeve: Sa kushton tani një apartament në Tiranë?

Çmimet e apartamenteve brenda unazës dhe në zonën rreth qendrës janë shtrenjtuar me të paktën 10-15% krahasuar me një vit më parë, sipas një vëzhgimi që “Monitor” ka bërë në kryeqytet. Ekspertët e pasurive të paluajtshme pohojnë se në zonën rreth unazës dhe qendrës, asnjë pallat që po ndërtohet i ri nuk ka çmime më të ulëta se 1500 euro/m2, nga 1300-1400 euro një vit më parë.

Në zonën e ish-Bllokut, çmimet e apartamenteve në 2020-n varionin nga 2,500 deri në 2,700 euro për metër katror. Këtë vit, nga administratorët e zyrave të shitjes në objektet e reja, që po ndërtohen në këtë zonë (si tek ish-vila Ferdinand, ish-bar Rovena apo pas selisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim), çmimet janë 3,000 euro për metër katror. Rritja e çmimeve, sipas zyrës së shitjeve, vjen për shkak të kostos së lartë të truallit që është paguar për pronarët.

Në brendësi të zonës së Komunës së Parisit (pranë godinës së ish- televizionit NTV) është rrethuar një shesh i ri ndërtimi. Nga zyra e shitjes u tha se apartamentet do të shiten me çmim mbi 1,500 euro për metër katror. Në këtë zonë, vjet çmimi i apartamenteve varionte nga 1,300 deri në 1,400 euro për metër katror.

Rritje të çmimeve të apartamenteve ka pasur edhe në zonën e ish- Universitetit New Jork. Në ndërtimin e ri ku ishte i ngritur universiteti, çmimet e shitjes, sipas zyrës së shitjeve, do të jenë 1,700 euro për metër katror. Në 2020, çmimet e apartamenteve në këtë zonë ishin rreth 1,400-1450 euro metër katror.

Këtë vit, çmime më të larta shitje ofrojnë edhe zonat rezidenciale të cilat kanë përfunduar punimet. Apartamentet në ndërtesat “Lake View” pranë liqenit artificial, këtë vit, sipas zyrës së shitjes janë me çmime 2,200 dhe 2,500 euro për metër katror, vetëm për apartamentet në katet e fundit të objektit nga 1,800 deri në 2,200 euro për metër katror që janë shitur në 2020-n.

Tendenca është e njëjtë edhe për zonat larg qendrës. Në ndërtimin e sapo përfunduar në rrugën “Hoxha Tahsim”, në kufi me rrugën “Bardhyl”, sipas administratorit të shitjeve, çmimet e apartamenteve janë 1,400 euro për metër katror. Në këtë zonë, apartamentet në 2020 janë shitur nga 1,000 deri në 1,100 euro për metër katror.

Kompleksi Zirkon, që po ndërtohet para Spitalit të Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), sipas administratorit të shitjeve po shet apartamente me çmime 1,000 euro për metër katror, ndërkohë që apartamentet ekzistuese në këtë zonë në 2020 janë shitur me çmim 800 deri në 900 euro për metër katror.

Në zonën “5 Maji”, një ndërtues pohoi se pas tre muajsh do të niste punimet për ndërtimet e një pallati të ri dhe çmimet e shitjes do të ishin 850 euro për metër katror. I njëjti subjekt tha se në pallatin e ndërtuar në të njëjtën zonë, apartamentet vjet i shiti me çmime 750 deri në 800 euro për metër katror.

Edian Meçe, i kompanisë “Edonil sh.p.k.”, thotë se çmimet e apartamenteve të ndërtuara nga kompania nuk kanë ndryshuar prej më shumë se një vit e gjysmë. Kompania është duke ndërtuar një objekt të ri banimi në brendësi të zonës së “Myslym Shyrit”. Çmimet e apartamenteve të kompanisë “Edonil sh.p.k.” janë 1,800 euro për metër katror. Në këtë zonë, çmimet në ndërtimet e mëparshme në 2020 varionin 1,800 euro për metër katror për pallatet buzë rrugës dhe në brendësi të zonës nga 1,400 deri në 1,500 euro për metër katror.

Shtrenjtohet edhe periferia dhe apartamentet e vjetra

Në zonat periferike si Fresku, çmimet e shitjes së apartamenteve vjet ishin 600 euro për metër katror, ndërsa këtë vit janë rritur në 700 euro për metër katror. Në Kinostudio, vjet çmimet e apartamenteve në kompleksin e ri të sapopërfunduar përballë zyrave të ALEAT, apartamentet u shitën me 800 euro për metër katror.

Këtë vit, në këtë zonë, apartamentet e reja të përfunduara në truallin ku ishte i ngritur ish-Hotel Molla po shiten me çmime 1,000 euro për metër katror. Nga zyra e shitjes u tha se çmimet janë më të larta se ato në objektet ekzistuese të zonës, për shkak të cilësisë së lartë të punimeve. Rritje të çmimeve ka pasur edhe në zonën e Kasharit nga 700 euro që ishin në 2020-n çmimet, këtë vit apartamentet po shiten 800 euro për metër katror.

Në zonën pas Qendrës Tregtare Univers, grupi BALFIN është duke zhvilluar të parin projekt me apartamente banimi. Karakteristikë e zonës janë shtëpitë individuale të ngritura nga banorë që kanë migruar në Tiranë pas viteve ’90. Sipas zyrës së shitjes, çmimet e apartamenteve në zonën e re rezidenciale “City Univers” variojnë nga 580 deri në 650 euro për metër katror. Punimet parashikohen të përfundojnë pas dy vitesh.

Për disa zona të qendrës të Tiranës, çmimet e apartamenteve në ndërtimet e reja po shiten 20-25% më shtrenjtë se apartamentet ekzistuese të ngritura në 2-3 vitet e fundit.

Agjencitë imobiliare thonë se edhe për apartamentet e rishitura çmimet janë rritur 10 deri 15% më shumë se vjet. Në disa zona të periferisë së Tiranës, si “Porcelani” apo “Ali Demi”, nuk shiten më shtëpi banimi me çmime nën 900 euro për metër katror. Ndër zonat më të lira periferike afër kryeqytetit, me çmim shitje 700 euro për metër katror është zona e Freskut, për shkak të mungesës për t’u shtuar me ndërtime të reja. Ndërtuesit, në anën tjetër, pohojnë se këtë vit është shtuar kërkesa për blerje në fazën e hershme të ndërtimit në objekte me çmime të larta deri në 4,000 euro për metër katror, kryesisht kullat. Në të gjitha kullat që po ngrihen në kryeqytet, apartamentet po shiten me çmime nga 3,000 deri në 4,000 euro për metër katror.

Share: