Zv/drejtori Izmit Nura qëndron në Itali/ Hapet shkollë shqipe në L’Aquila

Pavarësisht që jetojnë jashtë vendlindjes, shqiptarët që për busullë kanë orientimin kombëtar nuk rreshtin së punuari për të ruajtur traditat si dhe gjuhën shqipe, që është elementi që i bashkon dhe i dallon ata nga të tjerët. Të këtij vokacioni janë edhe shqiptarët me prejardhje nga Maqedonia që jetojnë dhe punojnë në L’Aquila të Italisë, tregon Izmit Nura, Zëvendës drejtor i Agjencisë për Emigracion të Maqedonisë i cili nga afër asiston në hapjen e shkollës shqipe në këtë pjesë të gadishullit Apenin, shkruan Strugalajm.com.Ishte një vizitë domethënëse dhe kuptimplotë në kuadër të festave kombëtare të nëntorit, tregon Nura i cili shton se mërgata jonë në këtë pjesë të Italisë është një nga më të organizuarat që përveç se është integruar mirë po bën përpjekje maksimale që të ruaj shqipen te gjeneratat e reja.“Në cilësinë e zv. Drejtorit të Agjencisë së Emigracionit me rastin e festës së Alfabetit, me ftesë të Shoqatës kulturore “Rilindja” me seli në L’Aquila të Italisë me kryetar z. Abdulla Salihi mora pjesë në ceremoninë e hapjes së shkollës me mësim në gjuhën shqipe, projekt i mbështetur edhe nga institucioni ynë. Në këtë eveniment të rëndësishëm promovuam Gramatikën e parë të botuar enkas për fëmijët e diasporës. Për shkollën dhuruam një numër të konsiderueshëm të abetareve dhe lektyra që besoj do të jenë të dobishme për nxënësit ” thekson ai. Në këtë vizitë në Itali zv/drejtori Nura tregon se mori impakt pozitiv nga takimet por edhe bisedat me mërgimtarët për kujdesin që ata tregonin për ruajtjen e kulturës dhe gjuhës së origjinës. Në këtë sens vazhdon Nura ishte edhe takimi me përfaqësuesit e Lidhjes së arsimtarëve shqiptar znj. Ariana Kosova dhe z. Nehat Marku me të cilët u vendosën ura komunikimi në funksion të bashkëpunimit në të ardhmen.“Si rezultat i pandemisë dhe protokolleve vizitat tona kanë qenë të pamunduara por tani me lirimin e masave në të ardhmen e afërt kemi një plan të bëjmë promovimin dhe shpërndarjen falas të Abetares por edhe të teksteve të tjera për të gjithë diasporën në Europë dhe Amerikë”, përfundon Nura. Vizita e zv/dejtorit Izmit Nura u pasqyrua gjerësisht edhe në median lokale të kësaj pjese të Italisë.

Share: