Ndryshimet kushtetuese/ Avokati i Popullit: Nuk flas dot për vettingun në politikë. SPAK: Do na shtohet një volum pune

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca këtë të mërkurë është shprehur se propozimet për ndryshimet kushtetuese të Partisë Demokratike janë të vlefshme, duke mos pranuar të komentojë nismën për vettingun e politikanëve.

“Meqë ndryshimet kushtetuese përbëhen nga tre komponentë, unë mund të jap mendim për vetëm nga dy komponentët. Për sa i përket kontrollit të integritetit të drejtuesve të lartë të institucioneve shtetërore, mendoj se unë nuk mund të jap koment për sa kohë që jam edhe vetë pjesë e rrethit të personave të cilët do të kontrollohen”, tha Ballanca.

Në një seancë dëgjimore në mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore në Kuvend, ajo tha se reforma territoriale nuk ka garantuar cilësi shërbimesh në zonat rurale të vendit.

“Këtë gjë ne e ndjejmë në mënyrë të vazhdueshme nga të gjitha raportet e monitorimit dhe ankesave që marrim nga qytetarët”, tha Avokatja e Popullit.

Sa i përket propozimet për ndryshime në Kodin Zgjedhor, Ballanca tha se raportet e OSBE në dy vitet e fundit kanë vënë theksin te kthimi i besimit të zgjedhësve te zgjedhjet, secila palë duhet të kthehet në  një proces të ndershëm.

Kurse kreu i SPAK, Arben Kraja deklaroi se është pro çdo iniciative që lufton korrupsionin.

“Jemi pro çdo iniciative që lufton kurrupsionin, gjithë shoqëria duhet ta luftojë këtë problematikë. Është një procedurë administrative që përfshin rreth 200 subjekte, që do kohën e saj dhe në këto kushte duhet ta vlerësojmë në vijimësi”, tha ai.

Kraja mendon se detyrat e tjera nuk duhet të bllokojnë thelbin e punës së prokurorisë, duke shtuar se propozimet e PD-së parashikojnë krijimin e një strukture në SPAK që do t’i shtojë një volum pune Prokurorisë së Posaçme.

“Ne kemi kaluar një eksperiencë negative në vitin e parë të punës sonë për të ashtuquajturën OFL, një detyrë e ngarkuar me ligj që na shfokusoi nga objekti i punës, kështu që unë do e konsideroja të papërshtatshme përfshirjen e SPAK në këtë çështje”, tha ai.

Sipas tij, kjo mënyrë e propozuar nga PD, mund të krijojë probleme për njëanshmëri apo mungesë objektiviteti.

Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi më pas ka pyetur kreun e SPAK, Arben Kraja nëse nga hetimet ka rezultuar se persona të botës së krimit kanë kontakte me zyrtarë të lartë publik. Një pyetje të tillë kreu i SPAK nuk preferoi t’i përgjigjet kjo për shkak se disa çështje vazhdojnë të jenë në hetim.

Bardhi: Nuk kemi parë rezultate. Ne kemi nisur nga 2017 një proces që lidhet me vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve. A ka procedime penale për gjyqtarë dhe prokuror që kanë shfaqur probleme me pasurinë?

Kraja: Ka disa procedime penale, për gjyqtarë dhe prokuror.

Bardhi: Bota e krimit ka kontakte me zyrtarë të lartë publik?

Kraja: Nuk mund të jap detaje për hir të hetimeve, referojuni vendimeve gjyqësore.

Bardhi: Nuk kërkova të dhëna konkrete apo emra. Teksa prokuroria po ndjek një eksponent rezulton që kanë kontakte me zyrtarë të lartë publik?

Kraja: Fenomeni që krimi i organizuar lidhet me nëpunës publik, nuk jap emra për sa kohë çështjet janë në hetim.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Legjislacionit po zhvillohet seancë dëgjimore me disa institucione, si Avokati i Popullit; Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi; ILDKPKI; SPAK; Prokuroria e Përgjithshme; Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve dhe Shoqata e Bashkive.

Share: