Si t’i parandalojmë tragjeditë që po na ndodhin në Kosovë?!

Jemi të ngopur nga lajmet që vijnë me plotë helm, e të cilat i përbëjnë kronikat e zeza. Ky popull ka harruar të lexojë apo dëgjojë ndonjë lajm, që sjellë pozitivitet, apo optimizëm, për jetën e përditshme dhe të ardhmen tonë. Pas çlirimit në Kosovë kemi menduar dhe shpresuar se do të punojmë për të dashur dhe respektuar njëri-tjetrin.

Kemi premtuar se nuk do të ketë më hasmëri dhe vëllavrasje në mes nesh. Kemi premtuar se do ta ndihmojmë njëri-tjetrin, sa herë që kemi vështirësi dhe sfida. Kemi premtuar dhe jemi zotuar se do të punojmë me përkushtim për të bërë Kosovën shtet ku do të respektohen vlerat njerëzore ato humane dhe mbi të gjitha ruajtja e traditës historike të popullit tonë.

Në vitin 1990 kur Kosovës i kërcënohej rreziku nga pushtimi serb, klasa intelektuale iu bashkua lëvizjes gjithë popullore rreth liderit historik Dr. Ibrahim Rugovës për kauzën e çlirimit dhe Pavarësisë së Kosovës. Në atë botë në skenë doli platforma kombëtare për pajtimin e gjaqeve dhe mosmarrëveshjeve të ndryshme, të cilave u priu Profesor Doktor Anton Qeta. Ky aksion, i cili i bashkoi dhe i mobilizoi shqiptarët në të gjitha trojet arriti t’i pajtojë me mijëra e mijëra familje, të cilat falen gjaqet e më të dashurve të tyre për idealet e unitetit të bashkimit të shqiptarëve.

Mjerisht nga distanca e asaj kohe kanë kaluar mbi 32 vite, por për fat të keq Kosovës dhe gjithandej shqiptarëve ka filluar t’i zë harresa për të kaluarën e lavdishme. Tani po dëgjojmë se po ndodhin vrasje, konflikte, mosmarrëveshje dhe gjëra shumë të kobshme për shqiptarët. Janë të shpeshta lajmet se viktimat e ndryshme të dhunës po ndodhin përditë e më shumë nëpër familjet e ndryshme, në të cilat shpeshherë viktima janë njerëzit e pafajshëm, pavarësisht moshën dhe gjininë.

Shtrohet pyetja? Kush janë shkaktarët e këtyre fenomeneve që po i ndodhin shoqërisë kosovare? Më thotë mendja se faktori kryesor është mungesa e edukatës familjare dhe rrethi shoqëror. Sistemi i dështuar i arsimit dhe i edukimit në Kosovë, si dhe institucionet të cilat qeverisen me vendin që nga paslufta. Po ashtu teknologjia informative përkatësisht [telefonat e mençur, interneti] janë disa nga faktorët përcjellës, të cilët e kanë vendosur në udhëkryq gjeneratën e re.

Është e saktë se shteti ka dështuar që përmes sistemit të mirëfilltë arsimor dhe edukativ, përmes programeve shkollore të arsimojë dhe të edukojë gjeneratën e re në frymën e kohës, në të cilën po jetojmë. Mjerisht për shkak të devijimeve në politikën e udhëheqjes së shtetit janë krijuar diferencat të mëdha në shoqërinë kosovare. Kështu një pjesë e politikanëve dhe e klaneve të oligarkëve që ishin në politikë përmes mënyrave më të ndryshme u bënë milionerë.

Duhet theksuar se pjesa dërmuese e popullit sot jeton me probleme më të ndryshme duke u ballafaquar me krizën sociale. Këto deformime kanë ndikuar negativisht edhe në marrëdhëniet ndër njerëzore të qytetareve dhe të klasave të krijuara. Sot paraja është bërë faktor determinues i të pasurve, në dëm të vlerave të njëmenda të qytetarëve të ndershëm, të cilët jetojnë me punën dhe djersën e tyre. Të gjitha këto që i thamë më lartë duhet të trokasin në ndërgjegjen e bartësve të politikës dhe njerëzve që udhëheqin me institucionet e shtetit që përmes sundimit të ligjit të sjellin drejtësi ndaj individit dhe shoqërisë në përgjithësi në mënyrë që t’i parandalojmë vrasjet dhe krimet që po trokasin për ditë e më shumë dhe po rrezikojnë sigurinë e qytetareve dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës.

WWW.EXPRESS.MK

Share: