Evropa, pesëfish më shumë infektime se mesatarja globale

Përhapja e koronavirusit në gjithë globin ka vijuar trendin ritës edhe gjatë kësaj jave. Në shtatë ditët e fundit janë shënuar afro 3.8 milionë infektime të reja, ose afro 2 për qind më shumë në krahasim me javën pararendëse.

Kontinenti europian ka dhe situatën më të vështirë, teksa numri i rasteve të reja u rrit me 11 për qind, pra më shumë se pesëfishi i mesatares globale.

Thuajse të gjitha shtetet e mëdha europiane kanë raportuar rritje të infektimeve, por situata më problematike paraqitet në Francë, e cila ka patur afro 61 për qind më shumë raste se një javë më parë. Pas saj vjen Portugalia me 45 për qind, Çekia me 30 për qind, Spanja 27 dhe Italia me 24 për qind.

Trend rritës kanë patur infektimet edhe në Gjermani, e cila në 7 ditët e fundit ka raportuar afro 403 mijë raste ose 21 për qind më shumë.

Por ndryshe paraqitet situata në Europë sa i përket fataliteteve. Sipas të dhënave zyrtare në kontinentin europian në 7 ditët e fundit kanë humbur jetën afro 27 mijë persona, një shifër kjo që vjen në ulje në raport me një javë më parë.

Share: