Kryeministri Kurti: Le të punojmë pa ndalur që shqiptarët të krenohen me vendin e kombin e tyre

Kryeministri Albin Kurti ka uruar për 109 vjetorin e pavarësisë së Shqiërisë, dukë e quajtur 28 Nëntorin datë themelore për identitetin kombëtar shqiptar.

“28 Nëntori ndërlidhë ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë: prej Skënderbeut në Krujë, te Ismail Qemali në Vlorë e deri te Adem Jashari në Prekaz”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.

“Padyshim që kjo është një ditë që na mbushë edhe me gëzim edhe me krenari, por edhe me përgjegjësi, për shkak se detyrat para nesh për të ngritur mirëqenien e shqiptarëve dhe qytetarëve tanë, për të zhvilluar vendin tonë, për të shtuar demokracinë në Republikën tonë janë më të rëndësishme se kurrë më parë”, u shpreh kryeministri.

“Le të bëjmë gjithçka që dimë dhe mundemi të jemi në nivel të kësaj detyre që e vazhdon në paqe punën dhe luftën e madhe të atyre që e bënë në kohëra shumë më të vështira sesa kjo e jona”.

“Le të punojmë pandalur që shqiptarët të krenohen me vendin e kombin e tyre, e kudo që gjinden ata, të jenë më mirë seç kanë qenë”.

“Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan e u flijuan për liri, pavarësi e për bashkim”, përfundoi Kurti.

WWW.EXPRESS.MK

Share: