Shkrirja e akullnajave të Kashmirit në shkallë alarmante

Shkencëtarët thonë se akullnajat e maleve të Kashmirit që administrohen nga India, po shkrijnë me një ritëm shqetësues. Kjo po kërcënon jetën e miliona njerëzve që banojnë në zonën përreth dhe varen nga uji akullnajor për të siguruar ushqim dhe të ardhura.

Thajiwas është një akullnajë në qytetin Sonmarg, në Kashmirin e administruar nga India.

Akulli po shkrinë me shpejtësi në zonën e njohur për peisazhin piktoresk plotë me ujëvara dhe shtigje.

Sipas studiuesve në Universitetin e Kashmirit në Srinagar, niveli i akullnajës Thajiwas ka rënë për më shumë se 50 metra në tre vitet e fundit.

Profesori Irfan Rashid thotë se akullnajat në malet e Kashmirit po shrihen për shkak të ndryshimeve klimatike dhe mbi-shfrytëzimin e tokës, duke kërcënuar furnizimin me ujë të miliona banorëve.

“Gati gjashtë akullnaja janë zhdukur që nga viti 1980, sipas të dhënave të grumbulluara me satelitë. Shumica për shkak të ndryshimeve klimatike, por pa përjashtuar edhe shkaktarët tjerë. Sa i përket rajoneve Jammu dhe Kashmirit, shumica e akullnajave të vogla, ose janë zhdukur ose rreziku për zhdukjen e tyre është shumë i lartë“, tha ai.

Muhammad Ayoub Khatana, një bari i zonës, është në kërkim të kullotave të përshtatshme për bagëtinë e tij.

Pas vëzhgimit të majave dhe luginave të rajonit, zoti Khatana thotë se vërejti zhdukjen e akullnajave.

“Në të kaluarën, përroi ishte i mbuluar me dëborë të dendur nga akullnajat. Tani nuk është si më parë. Dikur përroi ishte aq i thellë sa mezi kalohej. Tani është i cekët, ndërsa dëbora është zhdukur”, tha ai.

Eskpertët thonë se akullnaja më e madhe e Luginës së Kashmirit, Kolhoi – e cila ushqen dy degët kryesore të lumit Jhelum – po shkrihet me një ritëm shqetësues – rreth një e katërta që nga viti 1962.

Sipas profesorit Rashid, ndryshimet e mëdha kërcënojnë drejtpërdrejt jetesën e miliona njerëzve në këtë rajon.

“Çdo ndryshim në burimet e borës dhe akullnajave do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në sektorët e bujqësisë, hidrocentraleve dhe turizmit, si dhe shumë sektorë tjerë që në mënyrë jo të drejtpëdrejtë lidhen me ujin”, thotë ai.

Përmbytjet e shkaktuara kanë ndikuar gjithashtu në kultivimin e mollëve, burimi kryesor i të ardhurave, pasi më shumë se 80 për qind e rajonit varet nga to.

“Dikur, kur kultivoja mollë, kishte përrenj dhe kanale në të gjitha anët e pemishtes, por me kalimin e kohës, ranë nivelet e ujit ndërsa kanalet u thanë. Ne u detyruam të gërmonim për mënyra alternative të ujitjes. Ishte e kushtueshme sepse nevojiteshin gjeneratorë. As kjo nuk mjaftonte”, tha Muhammat Maqbool Bhat që për dekada të tëra punonte si fermer.

Rajoni i Himalajeve, që përfshinë të dy pjesët e Kashmirit të kontrolluar nga India dhe Pakistani, ka mbi 14 mijë akullnaja alpine. Aty ndodhet edhe akullnaja Siachen, më e larta në botë jashtë poleve të tokës.

Share: