​Bejko: Sanksione për ata që nuk respektuan kryesinë, Xhaferri në Këshillin e PD: Koha që kryetari të drejtojë pa dualitet

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Roland Bejko, ka mbajtur fjalën e tij në mbledhjen që po zhvillohet sot në selinë e Partisë Demokratike me qëllim për të votuar rezolutën që ‘ndëshkon’ të pranishmit në Kuvendin e djeshëm të organizuar nga ish kreu historik i PD-së, Sali Berisha.

Bejko u shpreh se kryedemokrati Basha ka një detyrë të vështirë para, pasi duhet të jetë bindës dhe të krijojë një perspektivë të qartë për PD-së në Kuvendin e 18 dhjetori.

Roland Bejko ka deklaruar se ajo që bëri dje Sali Berisha ishte për interesin e tij personal, ndërsa shton se duhet të sanksionohen të gjithë ata që nuk respektuan vendimet e kryesisë së Partisë Demokratike.

“Ne nuk duhet të injorojmë takimin e djeshëm, sado të ishin, megjithëse sado të ishin megjithëse ishin më pak sesa duhen për të nxjerrë një deputet. Ata janë demokrat. Për shumicën mendoj se i kanë bashkuar interesat politike, të karrierës, apo nuk duan Lulzim Bashën. Interesat u kryqëzuan në këtë formë. Demokratët donin që PS të vinte në pushtet. Të mërzitur pas humbjes, të shqetësuar se nuk shikojnë perspektivë, me besim të thyer. Berisha i kuptoi interesat e tyre. Qe duan një PD të mirëfilltë, të jetë meritokracia që bën përzgjedhje, të ketë përkohshmëri dhe jo përjetësi në poste. Atë që diskutojmë të gjithë. Dhe ua dha këtë. U thotë që këtë e bëj unë, megjithëse për 30 vjet nuk e bëri. E bëri për interes personal, që të marrë partinë. Më vjen keq që e shoh në këtë pozitë të vështirë. Për një burrë shteti interesi i përgjithshëm duhet të prevalojë mbi interesin personal. Kam mbajtur shënim gënjeshtrat. Ka thënë Edi Ramës i duhet 10 vjet të arrijë Lul Bashën. Dje u mor dhe me punët e bashkisë. Aty mendova që nuk ka më kuorum. Çfarë të bëjmë? Di që partia është formacion disipline. PD nuk është pronë personale, është sakrifica e mijëra demokratëve. Ai ka kontribut të jashtëzakonshëm, është lider i fortë, por nëse do të isha në vendin e tij, do të isha tërhequr për hir të sakrificave të demokratëve. Kush do ta mbajë partinë të bashkuar? I bie kryetarit që është zgjedhur, kryetarit legjitim. Ne nuk duam të kalcifikoheni. Të mbajmë parti të vogël. Nuk themi dot ne jemi më të mirët. Zoti Basha ju del detyrë të kapërceni Sali Berishën, të kapërceni veten. Kuvendi i 18 është sfida juaj që je kryetar i vetëm, pa pengesë, me mbështetjen e kryesisë, të këshillit kombëtar dhe kuvendit. Qëndrimi juaj duhet të binde ata demokratë qe ju do të bëni një PD që të gjithë e duam. Do të jetë një kuvend i vështirë, por është detyra juaj të jeni bindës, të krijoni një perspektive të qartë. Te ftojmë demokratët të jene këtu me ne, të marrim sanksionet ndaj atyre anëtarëve të kryesisë që nuk respektuan vendimin”, tha ai.

Ndërkohë, deputeti Ferdinant Xhaferri tha se tani është koha që kryetari të drejtojë pa dualitet, teksa kërkoi që në rezolutë të përfshihet edhe mesazhi që Gabriel Escobar dha në vizitën e tij në Tiranë.

“Ka zëra që thonë kryetari nuk bind. Po, e vërtetë, sepse mes nesh ka qenë dyshimi a kemi një kryetar apo kemi 2. Tani është koha që kryetari të drejtojë pa dualitet dhe ne duhet ta ndjekim. Për rezolutën propozoj të përfshihet vizita e Escobarit, pasi mesazhi që ai dha ishte nisja e vizitës nga PD. Në lidhje me 18, dua të them që gjatë kësaj kohe e kanë mbajtur kryetarët e degëve. Deri më 18 peshën duhet ta mbajmë të gjithë për një kuvend model”, u shpreh Xhaferri.

Share: