Mali i Zi, mocioni i mosbesimit për qeverinë

Të hënën do të mbahet seanca e parlamentit të Malit të Zi, ku do të shqyrtohet nisma e opozitës për mocionin e mosbesimit të Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq.

Qeveria e re u zgjodh para një viti me votat e 41 deputetëve nga gjithsej 81 që ka gjithsej parlamenti i Malit të Zi.

Rënia e mundshme e qeverisë nënkupton rikthimin e Partisë Demokratike Socialiste të Presidentit Milo Gjukanoviq, e cila ka qenë mbi 30 vjet në pushtet në Malin e Zi.

Në seancën e parlamentit të Malit të Zi, e cila fillon të hënën, do të shqyrtohet nisma e opozitës për mosbesimin ndaj qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq.

Kjo nismë ka shkaktuar fërkime të ashpra mes forcave politike në Mal të Zi dhe ditëve në vijim pritet thellimi i krizës politike në vend, që mund të shkaktojë edhe destabilizim në Mal të Zi.

Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Aleksa Beçiq shpreson se askush nga shumica parlamentare nuk do ta përkrahë nismën për mosbesimin e qeverisë.

“Mund të konfirmoj me përgjegjësi se Mali i Zi demokratik nuk do ta mbështesë mocionin e mosbesimit të Qeverisë. Mendoj se duhet, si shumicë parlamentare, të bisedojmë për të gjetur mënyra për të bashkëpunuar më mirë dhe për të përmirësuar cilësinë e punës sonë të përbashkët”, tha zoti Beçiq.

Ndërkaq, presidenti i Malit të Zi dhe lideri i opozitës, Milo Gjukanoviq ka shprehur besimin se mocioni për mosbesimin e qeverisë do të ketë sukses.

“Unë jam optimist dhe më besoni është ora e fundit që të iniciohet dhe procedohet nisma për largimin e kësaj qeverie, e cila dita ditës, po i bën dëm të jashtëzakonshëm interesave të Malit të Zi”, tha zoti Gjukanoviq.

Ndërkohë, Fronti Demokratik, e njohur si një parti pro-ruse dhe pro-serbe, edhe pse mbështeti shumicën parlamentare, kundërshtoi qeverinë e ekspertëve ku nuk marrin pjesë përfaqësuesit e tyre politikë.

“Pasi nuk arritëm të kemi një marrëveshje politike mendojmë se duhet të kthehen mandatet dhe të shkojmë në zgjedhje të reja”, tha përfaqësuesi i këtij grupimi, Nebojsha Medojeviq.

Në këtë kuadër kryetari i Lëvizjes Qytetare “URA” dhe zv/kryeministri, Dritan Abazoviq vuri në dukje se për zgjidhjen e krizës politike duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“Për zgjidhjen e krizës politike nuk ka opsion më të pastër se sa zgjedhjet e reja”, tha ai.

Zoti Abazoviq kritikoi Frontin Demokratik, i cili sipas tij, në vazhdimësi e ka shantazhuar qeverinë.

Pikërisht para një viti, me votat e 41 deputetëve nga gjithsej 81 që ka parlamenti i Malit të Zi, u zgjodh qeveria e re e kryesuar nga Zdravko Krivokapiq.

Kjo ishte qeveria e parë që prej tri dekadash e formuar pa Partinë Demokratike Socialiste të Presidentit Gjukanoviq./VOA

Share: