Pas rrëshqitjes së dheut në rrugën Prizren – Reçan, Totaj del në vendngjarje

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar se ka dalë në vendin ku sonte ka pasur rrëshqitje të dheut, me ç’rast u bllokua rruga.

Totaj ka thënë se nuk është raportuar për të lënduar, duke shtuar se kontraktorët e ministrisë nuk mund të arrijnë me kohë të reagojnë dhe sipas tij paraqitet nevoja për reagim të shpejtë.

“Pas rrëshqitjes së dheut mes dy tuneleve në rrugën Prizren – Reçan, isha në vend të ngjarjes. Nga personat kompetentë për ngjarje të tilla, policia dhe ministria, kompetencë e së cilës është përkujdesja për rrugët regjionale, u informova se për fat të mirë nuk kishte të lënduar nga ky aksident”, ka shkruar Totaj në Facebook.

“Rruga për shkaqe sigurie është përkohësisht e mbyllur. Ofrova ndihmën e Komunës së Prizrenit po që se kontraktorët e Ministrisë nuk mund të arrijnë me kohë të reagojnë dhe paraqitet nevoja për reagim të shpejtë”, ka shtuar ai.

WWW.EXPRESS.MK

Share: