PD, Basha, Berisha – SHBA

Më duket se kohëve të fundit SHBA-të janë duke e tepruar me ndërhyrjet e tyre të shtuara në punët e brendshme të Shqipërisë. Ta mbështetësh një politikan të caktuar të një partie të caktuar, në këtë rast Lulzim Bashën e PD-së, dhe njëkohësisht ta luftosh me çdo kusht një politikan tjetër, në këtë rast Sali Berishën, po ashtu të PD-së, nuk është as nderë as drejtësi e SHBA-ve ndaj Shqipërisë, aq më tepër kur Shqiptarët i njohin SHBA-të si shtetin më mik të tyre.

Jam i mendimit se shteti më i fuqishëm dhe më demokratik në botë, mund t’i ndihmojë, por jo edhe t’ia imponojë Shqipërisë së varfër, zatën njërit prej aleatëve apo shtetit më besnik dhe njëkohësisht më vasal të tyre, se kë duhet ta vë dhe mbajë në krye të një partie politike, dhe kë duhet ta përjashtojë nga partia politike. Se anëtarët dhe delegatët e partisë janë ata që vendosin se kë e duan për kryetar të tyre, këtë e di çdo shtet demokratik në botë. Për më tepër, këtë e dinë edhe amerikanët dhe shteti amerikan si shteti më demokratik në rruzullin tokësor. Mirëpo, se ka edhe ndonjë amerikan apo diplomat amerikan, i cili për interesa dhe përfitime personale, di të “luajnë bisht” dhe keqpërdor namin e shtetit të vet, po del të jetë e vërtetë. Ambasadorët e sojit të Yuri Kim e Richard Grenell, por edhe ndonjë tjetër, është mirë të mos e teprojnë duke keqpërdorur mikpritjen e shteteve ku shërbejnë, dhe duhet të sillen konform mandatit të tyre si ambasadorë, e jo “t’i fusin hundët” në punët e brendshme të shtetit, i cili respekton përtej mase.

Unë nuk kam asgjë kundër Lulzim Bashës, siç nuk jam as pro Sali Berishës. Sipas mendimit tim, që të dy kanë dëshmuar se nuk dallojnë aspak nga njëri-tjetri. Për më tej, që të dy kanë dëshmuar (njësoj si shumica e politikanëve shqiptare) se e luftojnë njëri-tjetrin shumë më shumë për interesa personale, e më pak ose aspak për interesa kombëtare e shtetërore. Më qartësisht, që të dy kanë njihen si vasalë dhe “yesmen” të ndërkombëtarëve, posaçërisht të amerikanëve, njësoj siç kanë qenë dhe janë pothuajse të gjithë politikanët Shqiptarë nga të gjitha trojet tona etnike. Po të mos kishte qenë kështu, asnjëri prej tyre as nuk do të mund të vinte në pushtet, por as nuk do të mund të mbante pushtet. Këtu nuk ka asnjë dyshim. Përndryshe, politikanët shqiptarë bëhen “kundër” ndërkombëtarëve, ose i “kthehen” popullit të vet vetëm atëherë kur e humbin pushtetin, ose kur synojnë ta marrin pushtetin.

Duke vëzhguar nga këndvështrimi tjetër, “lufta” Berisha-Basha po del të jetë arma më e fortë e Edi Ramës. Dhe, këtë armë duket se është duke e përdorur me shumë mrekulli e dinakëri kryeministri aktual i Shqipërisë, për të mbetur dhe zgjatur pushtetin e tij. Sa më shumë që zgjat “lufta” Basha-Berisha, aq më gjatë do ta sundojë Shqipërinë Edi Rama!

Për më tepër, Shqipëria e gjorë do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë të mbetet peng dhe të ecën prapa si pasojë e liderëve të saj autokratë, oligarkë, diktatorë e çfarëdoqoftë, dhe do ta ketë të vështirë ta sheh dritën e shpresës në ndonjë të ardhme të afërt. Kur është fjala te PD-ja, Shqipëria do të mund “të sheh hajër” dhe të vihet në binarët e duhur vetëm atëherë kur një i tretë ia thyen qafën edhe Lulzim Bashës, edhe Sali Berishës! Për më tej, jo se Shqipëria nuk ka politikan “të tretë”, por për një tillë është shumë e vështirë për t’i mposhtur liderët e deritashëm, të cilët e kanë kapur, e kanë gërryer dhe e kanë sjellë Shqipërinë në buzë të greminës.

Për shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës e më gjerë, SHBA-të kanë qenë, janë dhe do të mbeten aleati më i besueshëm i tyre. Ndihma e SHBA-ve për Shqiptarët është e pazëvendësueshme. Për këtë, SHBA-ve do t’i jemi mirënjohës përgjithmonë. Miqësia me SHBA-të ka qenë, është dhe do të mbetet e palëkundshme. Mirëpo, është normale që nganjëherë edhe miku me mikun të mos pajtohen. Përkundrazi, miqësia përforcohet përmes ndihmës së ndërsjellë, me vërejtje, sugjerime por edhe mospajtime. Së këndejmi, edhe miku, në këtë rast SHBA-të, si shtet lider i demokracisë botërore mund dhe duhet të kritikohen, e pse jo edhe të kundërshtohen në qoftë se për arsye të informacioneve të mangëta, interesat e tyre bien ndesh me interesat tona kombëtare e shtetërore. Besoj se miku mikut nuk duhet t’ia kërkojë asnjë të keqe që nuk do të mund ta pranonte për vetveten.

Nëse SHBA-të duan ta përkrahin Shqipërinë, në ç’gjë që nuk dyshoj, ato duhet ta mbështesin çdo lider, të cilin e përzgjedh populli Shqiptar, e jo ta mbështes një lider, vasal të tyre, i cili nuk di tjetër përveç “yes”-it që ua thotë atyre.

Partinë Demokratike të Shqipërisë (PD) nuk e shpëton dot as Basha, as Berisha. Lulzim Basha dhe Sali Berisha, që të dy janë duke e dëmtuar, nëse jo duke e fundosur PD-në. “Lufta” mes tyre është fitore dhe zgjatje e sigurt e pushtetit të PS-së të Edi Ramës. PD-në do ta ndihmojë dhe do të mund ta risjellë në pushtet vetëm vota e lirë, e paanshme, e pashantazhuar dhe e paiimponuar e çdo anëtari dhe delegati të saj për një lider të ri në krye të partisë, i cili do të ishte i ndershëm, i pakorruptuar, i pashantazhuar dhe me histori të pastër me ligjin, i cili do të ishte vasal i popullit she shtetit Shqiptar, e jo i disa ndërkombëtarëve të korruptuar, të cilët për interesa të tyre shfrytëzojnë dhe keqpërdorin miqësinë e sinqertë të një populli të varfër, siç jemi ne Shqiptarët.

P.S. Miqësia me kushte nuk është miqësi!

WWW.EXPRESS.MK

Share: