Tetovë, trotuare të bllokuara te Tregu i Gjelbër, Komuna: Nga sot lirojmë hapësirat publike

Trotuaret dhe hapësirat publike përreth Tregut të Gjelbër në Tetovë janë kryesisht të bllokuara dhe vështirë të kalueshme si rezultat i shitësve ambulant. Nga Komuna e Tetovës për këtë të fundit njoftojnë se nga sot Sektori për veprimtari komunale dhe mbrojtje të ambientit jetësor do të marrë veprim së bashku me inspektoratin komunal për lirimin e hapësirave publike dhe trotuareve përreth tregut të gjelbër. Ky problem nuk është vetëm në këtë pjesë të qytetit, ai është prezent thuajse në të gjitha rrugët ku përreth kanë biznese të ndryshme.

Nga Komuna njoftojnë se ky aksion i inspektoratit vjen si rezultat i bllokimit të trotuareve përreth tregut, të cilët pamundësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, njëkohësisht edhe për shkak të konkurrencës jolojale të shitjes së produkteve të ndryshme.

“Në hapësirat e Tregut të Gjelbër janë 120 vende të lira, andaj luten të gjithë shitësit që veprimtarinë e tyre ta bëjnë konform ligjit, duke u futur në hapësirat e tregut të gjelbër. Po ashtu, inspektorati komunal kërkon nga shitësit jolegal që duke filluar nga dita e sotme (13.12.2021 e deri më 19.12.2021) të largojnë mallin e tyre nga sipërfaqet publike, në të kundërtën do të përballen me ligjin.” thanë nga Komuna e Tetovës.

Nga atje njoftojnë se pasi të kalojë afati i dhënë për largimin e mallit, nëse të njejtët nuk e kanë larguar  mallin, Ndërmarrja komunale do të organizojë një kamion për bartjen mallin deri te hapësirat e “Parqet dhe Gjelbërimi”, me prezencë të inspektoratit komunal, inspektoratin  e tregut dhe Policisë.

“Pasi të largohet malli, Inspektorati komunal bashkë me inspektoratin e Tregut dhe Policinë nga dita e hëna me datë 20.12.2021 do të bëjnë kontrolle permanente për ruajtjen e sipërfaqeve publike.” shtojnë nga Komuna e Tetovës.

Komuna gjithashtu njofton se Sektori për veprimtari komunale duhet që t’i vendos shenjat për parkim në rrugën “120”, e cila do të shfrytëzohet për parkim zonal nga ndërmarrja publike “Parkingu i Qytetit”.

Sidoqoftë, nëse kjo do të funksionojë kështu siç thonë nga komuna, kaosi dhe uzurpimi i trotuareve dhe hapësirave publike do të zgjidhej vetëm për një pjesë të qytetit. Ndërkohë, situata është e ngjashme në shumë rrugë kryesore të qytetit, si për shembull përgjatë bulevardit “Iliria” atij të “Ilindenit”, rrugët rreth qendrës dhe të tjera, ku biznese dhe persona të ndryshëm i nxjerrin produktet dhe shërbimet e tyre në rrugë, kështu duke bllokuar trotuaret dhe hapësirat publike.

Rikujtojmë që në pikat për 100 ditëshin e parë të qeverisjes me Komunën e Tetovës, Bilall Kasami ka vendosur edhe këto dy pikat e poshtëshënuara:

Trotuare dhe hapësira publike të lira. Pronarëve të shitoreve nuk do ju  lejohet ekspozimi i mallrave dhe produktet në hapësira publike trotuar, rrugë apo hapësira jo adekuate për shitje.

Pronarëve të dyqaneve nuk do ju lejohet rezervimi i parkingjeve para dyqaneve të tyre. Ato do të duhet të sinjalizojnë një hapësirat hyrëse nëse presin furnizime me mallra.

Share: