Ish-truproja i Macron nën hetim për lidhjet e mundshme me një kontratë me një oligark rus

Alexandre Benalla, ish-truproja i presidentit francez Emmanuel Macron, u vu nën hetim zyrtar të martën për një kontratë sigurie të nënshkruar nga një bashkëpunëtor me një oligark rus, sipas burimeve të sigurisë.

Sipas mediave të huaja, Benalla, i cili u pushua nga puna në vitin 2018 pasi u filmua duke sulmuar protestuesit, u arrestua nga policia e specializuar kundër korrupsionit së bashku me gruan e tij si pjesë e një hetimi mbi marrëdhëniet e biznesit të ish-bashkëpunëtorit të tij, Vincent Crase, thanë burimet franceze të sigurisë për AFP.

Crase, një ish-polic që dikur merrej me sigurinë për partinë politike të Macron, u tha hetuesve në vitin 2019 se marrëveshja me oligarkun rus Iskander Makhmudov mbulonte sigurinë për të dhe fëmijët e tij në Francë dhe Monako.

Benalla mohoi të kishte lidhje me kontratën kur ai u pyet nga një komision parlamentar në 2018.

Ish “kujdestari” 30-vjeçar i klubeve të natës ishte dikur i afërt me Macron, por që atëherë është kthyer në një “siklet” për kreun e shtetit.

Hetuesit francezë po hetojnë pastrimin e mundshëm të parave dhe korrupsionin në marrëveshjen midis kompanisë së Crase dhe Makhmudov, i cili njihet si i afërt me liderin rus Vladimir Putin.

Faqja e internetit investigative franceze Mediapart raportoi në dhjetor 2019 se marrëveshja ishte me vlerë 294,000 euro (333,000 dollarë).

Share: