Klubet angleze rikthejnë masat anti-Covid 19

Koronavirusi po përhapet me shpejtësi mes futbollistëve dhe stafeve teknike të klubeve të Premier League, teksa rezultatet e publikuara konfirmuan se java e fundit ka pasur 42 të prekur, më shumë se çdo javë tjetër që prej fillimit të pandemisë.

Kjo ka bërë që klubet të reflektojnë dhe të pranojnë implementimin e menjëhershëm të masave parandaluese, në mënyrë që të reduktojnë sa më pak numrin e futbollistëve të prekur dhe të mos vënë në rrezik vijimin e garës.

Kështu nga dita e sotme të gjithë futbollistët do t’u nënshtrohen testeve të shpejta para çdo seance stërvitore dhe në rast të një rezultati pozitiv, nuk do t’i bashkohen grupit, por do të kryejnë testin PCR për të konfirmuar nëse janë prekur apo jo.

Gjithashtu është vendosur që rikthehet përdorimi i maskës dhe të ruhet distanca sociale mes futbollistëve e stafit, përfshi këtu edhe shmangien e masazheve të zgjatura fizike ndaj futbollistëve.

Aktualisht në Premier League janë shtyrë dy ndeshje, një e Tottenhamit dhe një e Man. United, teksa shumë klube të tjera kanë raportuar për numër futbollistësh dhe pjesëtarë stafesh të prekur nga koronavirusi.

WWW.EXPRESS.MK

Share: