“Kur librin e shkruan zemra”, një thesar në biblotekën time

Dhjetor 2021. Ditë me shi. Mali Dajtit ka hedhur vellon e bardhë të dëborës, teksa fryn një erë e lagësht dhe e ftohtë. Drurët po i dorëzohen dimrit, duke lëshuar andej – këndej gjethet e vyshkura, të cilat bien lehtë mbi pellgje uji, apo rrëmbehen nga rrjedhat, që kullojnë anash rrugëve dhe bulevardeve të kryeqytetit.

Unë dhe miku im, shkrimtari Viron Kona, presim me padurim që të dalë nga shtëpia botuese dhe shtypronja “West Print” libri “Kur librin e shkruan zemra”. Është një libër për të cilin kam punuar muaj të tërë, duke përmbledhur me kujdes e durim artikuj të shkruar rreth librave të Viron Konës, të këtij shkrimtari, tashmë me emër, i cili, ndonëse ka shkruar 50 libra artistikë, përsëri, edhe sonte, është i përfshirë në ankthin e pritjes së librit, që i kushtohet krijimtarisë së tij. Gjithsesi ai gjen momentin dhe kujton një episod nga viti 1982, kur kishte shkuar në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe kishte marrë 5 kopjet e para të librit të tij të parë “Etje që shuhej”. Dikush, që e kishte parë të gëzuar, e kishte ndalur dhe i kishte thënë: ”-E di ti se, tani që ne po flasim, në botë po botohen miliona libra?” Kjo shprehje e kishte zbehur dhe e kishte pezmatuar disi shkrimtarin, pra, siç thotë vet ai, “e kishte ulur me këmbë në tokë”; gjithsesi, – shton Vironi, – ajo gjuhë ironike e tjetrit “më bëri mirë, sepse më shtoi më shumë pasionin dhe vendosmërinë, që unë të shkruaj edhe më shumë, por, në radhë të parë, duke i kushtuar rëndësinë e duhur cilësisë dhe vlerave artistike. “Kur librin e shkruan zemra”, siç përmenda edhe më sipër, është një përmbledhje artikujsh e shkruar nga unë (Bashkim Saliasi) për librat e Vironit, të cilat nëpër vite janë vlerësuar nga kritika, studiuesit dhe lexuesit. Ato janë vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare, por edhe janë përkthyer, sikurse ka ndodhur me librin e tij shumë të suksesshëm “Eh, more Bubulino!” që është përkthyer në gjuhën suedeze dhe tashmë lexohet edhe nga fëmijët suedezë. Por, edhe shumë tregime të Vironit janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, hungrarisht, sikurse janë botuar edhe në disa antologji letrare e poetike, apo janë pjesë letrare të disa teksteve shkollore … Të ulur në kafene, me nga një filxhan kafe dhe me nga një gotë raki përpara, vijojmë të bisedojmë rreth krijimeve tona artistike, rreth motiveve nxitëse dhe shohim herë-herë nga dera e shtëpisë botuese, që të dalë botuesi i West Print, Eduard Vathi, i cili, siç na premtoi, shpejt do të na sillte ai vetë përmbledhjen e shumëpritur. Më në fund Eduardi ia mbërriti. Miku ynë i ri, i ditur, komunikues dhe gjithnjë i qeshur, duke na njohur emocionet, na ofroi librin qetësisht:

-Ja ku e keni, si ju duket, ju pëlqen?

E falënderuam Eduardin dhe nisëm të shohim me interes, por edhe duke e shfletuar e ledhatuar atë librër, goxha voluminoz, me shumë faqe, me shumë fotografi, me shumë kujtime, opinione dhe vlerësime, një libër i tërë, një jetë e tërë për shkrimtarin Viron Kona, një tjetër përmbledhje e merituar kushtuar krijimtarisë së tij të gjerë e shumëplanëshe.

B.Saliasi, E.Vathi, V. Kona. Tiranë, më 11.12. 2021

Libri me 932 faqe, ka redaktor shkrimtarin dhe publicistin Kadri Tarelli, recensent Dr. Bajram Mejdiaj, konsulent Prof. Dr. Hektor Veshi. ISBN 978-9928-250-03-2, i shtypur në shtypshkronjën West Print, 2021, botues Eduard Vathi.

Në hyrje është fjala ime si autor i kësaj përmbledhjeje dhe më pas radhiten emrat e profesorve, akademikëve, shkrimtarëve, publicistëve, lexuesve të vëmendshëm, që kanë lexuar dhe vlerësuar krijimtarinë e shkrimtarit.

Po radhis disa nga emrat e artikujshkruesve. Profesorët: Gjovalin Shkurtaj, Pajtim Bejtja, Koço Bihiku, Hektor Veshi, Arian Kadiu, Ilinden Spasse, Murat Gecaj, Qazim Dushku, Isak Ahmeti.

Doktorët e shkencave: Bajram Mejdiaj, Fatmir Tereziu, Nuri Dragoj, Nazmi Xhomara, Petrit Teferiçi. Albaologu suedez Ullmar Qvick (Kvik). Gazetarët: Erik Jullander, Sokol Demaku, Bahtir Latifi, Hysen Ibrahimi, Qibrije Hoxha, Ismet Hasani, Sadulla Zendeli-Daja, Hamit Gurguri, Imri Trena, Izet Abdyli, Vjollca Spaho, Bashkim Kozeli, Xheladin Mjeku, Kadri Tarelli, Alisa Veliaj, Delo Isufi, Luan Çipi, Sejdo Harka, Fran Gjoka, Bashkim Saliasi, Isa Ferizaj, Veledin Durmishi, Harallamb Fandi, Faruk Myrtaj, Gentiana Zagoridha, Gladiola Jorbus, Zabit Rexhepi, Dhimitër Xhoga, Alqiviadh Dede, Zhani Canco, Petrit Xhaja, Mehmet Deliu, Bujar Poçari, Mirela Kondi, Ndue Dragusha, Namik Selmani, Petrit Malushi, Faik Xhani, Mësuese Aurela, Çelik Petriti, Çaush Kullafi, Nikolin Papa, Maliq Qoku, Bujar Agalliu, Mal Buçpapaj, Ibrahim Hadarmataj, i cili mbyll librin me një artikull “profil” kushtuar protagonistit Kona.

Botimi librit “Kur librin e shkruan zemra” vjen pas një pune përmbledhëse e studiuese. Ai vjen pas librave:

1.“Blerimi i një fushe me krijime të bukura”, të përgatitur me kujdes nga publicisti Ibrahim Hadarmataj dhe i botuar në vitin 2010 nga shtëpia botuese West Print. Ai përmban 85 artikuj, të shkruar nga 67 autorë.

2. “Parnasi sheh me bisht të syrit”, i cili rrëfen jetën dhe veprimtarinë krijuese të autorit nëpërmjet përshkrimeve, intervistave, esseve, etj. i shkruar nga unë, Bashkim Saliasi dhe është botuar në vitin 2019 nga shtëpia botuese “West Print”. Ky libër përmban 90 artikuj të shkruar nga 72autorë, si dhe një varg opinionesh e shënimesh rreth personalitetit krijues të Viron Konës dhe krijimtarisë së tij letrare.

3. Ndërsa “Kur librin e shkruan zemra”, është libri i tretë kushtuar krijimtarisë së shkrimtarit Viron Kona, i cili përmban 167 artikuj, të shkruara nga rreth 70 autorë.

Në vazhdim, nga sot e tutje, çdo lexues do ta ketë mundësinë e leximit dhe të shfaqjes së mendimeve rreth këtij libri, që, për mendimin tim, përcellë vlera për lexuesin.

I uroj shkrimtarit dhe mikut tim Viron Kona jetë të gjatë dhe krijimtari të frytshme, kurdoherë plot tharm e frymëzim. Urime dhe për botuesin Eduard Vathi, që jep kontributin e tij të ndjeshëm e të çmuar në botimet tona.

Share:

Leave a Reply

Your email address will not be published.