Shaqiri: Thellësisht i bindur në fuqinë transformuese të Partneritetit të hapur qeveritar

Sot, në formë virtuale, si folës, Ministri për shoqëri informatike dhe administrate, Jeton Shaqiri ishte pjesë e Samitit global për Partneritet të hapur qeveritar i cili zhvillohet në Republikën e Koresë.

Ky samit ofron një platformë dhe moment për të reflektuar mbi progresin e PHQ-së në dekadën e saj të parë dhe për të paraqitur një vizion për të ardhmen.

Përsa i përket arritjeve në fushën e integritetit dhe inovacionit që kanë ardhur si pasojë e Partneritet të hapur qeveritar, Shaqiri tha: ”Republika e Maqedonisë së Veriut ka njohur rezultate në proceset e qeverisjes së hapur. Që nga anëtarësimi në këtë iniciativë në vitin 2011 përmes pesë planeve aksionar, nevoja për angazhim dhe përfshirje më të madhe të qytetarëve në procesin e vendimmarrjes, futjen e standardeve më të larta të integritetit dhe akses më të madh në teknologji është përcjellë me përkushtim.

Duke hapur dhe duke bërë publike burimet tona, ne kemi mundur të avancojmë dialogun, inovacionin dhe përdorimin e teknologjisë që e bëjnë jetën e qytetarëve më të mirë dhe më të lehtë.

Një shembull i rëndësishëm që është një përgjigje aktive ndaj kërkesave për integritet në sektorin publik dhe privat, do të veçoja angazhimin për “PRONARËT E VËRTETË” (BENEFICIAL OWNERSHIP), me çka ofrohet akses i barabartë në të dhënat bazë për kompanitë e regjistruara në Regjistrin qëndror të Republikës së Maqedonisë së Veriut.”

Duke hedhur sytë kah e ardhmja, ministri Shaqiri shtoi: “Me planin e ri të pestë aksionar për PHQ, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është zotuar që në mënyrë aktive të punojë në bërjen publike të pronarëve realë të kompanive që kanë lidhur kontrata për prokurime publike me institucionet e sektorit publik.

Duke qenë se transparenca në prokurimin publik konsiderohet si një mjet kyç për reduktimin e korrupsionit dhe për të mundësuar garë të drejtë dhe konkuruese, nga informacioni i disponueshëm publikisht për të gjithë ciklin e prokurimit publik, mund të sigurohet prokurim publik i përgjegjshëm”.

“Realizimi me sukses i këtij angazhimi ambicioz pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e konkurrencës, cilësinë e prokurimit dhe përmirësimin e shërbimeve publike”, përfundoi fjalimin e tij, ministri Jeton Shaqiri.

Share: