Tragjedia në Bullgari, shpejtësia e papërshtatshme shkak i aksidentit!

Aksidenti tragjik në autostradën “Struma” në Bullgari, ku humbën jetën 45 persona, me gjasë të madhe ka ndodhur si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes me kushtet në rrugë, theksoi drejtori i Shërbimit Nacional Hetues të Bullgarisë, Borisllav Sarafov. Për rezultatet e ekspertizës gjyqësore dhe teknike dhe atë që duhet të vërtetojë se si u shkaktua zjarri dhe si u djeg autobusi vetëm për disa minuta, para festave, tri ekspertizat do të japin përgjigje konkrete, theksoi Sarafov. Është e qartë se autobusi ka lëvizur me shpejtësi prej 90 km në orë, shenjat në rrugë mund të kontribuojnë për aksidentin, por nuk mund të jetë kyçe nëse shoferi e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, tha Sarafov.

“Kërkesat për një shofer profesionist të autobusit i cili bart 50 udhëtarë janë më të larta se sa për cilindo shofer tjetër, aq më shumë kur për një transport të tillë është e nevojshme të ketë shofer profesionist me kategoritë adekuate dhe standardet e larta etike. Për këtë qëllim ka qenë e nevojshme që shpejtësia të përshtatet pavarësisht shenjave. Sinjalizimi rrugor nuk është përshtatur me rrugën, por në asnjë mënyrë nuk ka pasur ndonjë lidhje të shkaqeve dhe arsyeve mes fatkeqësisë dhe sinjalizimit të keq të rrugës. Ajo mund të kontribuojë, por nuk mund të jetë kyçe nëse shoferi ka përshtatur shpejtësinë e vozitjes.”,- deklaroi drejtori i Shërbimit Nacional Hetues të Bullgarisë, Borisllav Sarafov.

Edhe paraprakisht një pjesë e ekspertëve bullgarë kishin qëndrimin se shkaqet për fatkeqësinë me gjasë të madhe janë si pasojë e gabimit njerëzor.

Ndërkohë, nga Prokuroria Publikë në RMV theksojnë se rasti është në fazën parahetimore dhe nuk mund të japin detaje për opinionin.

“Veprohet në lidhje me personin juridik, rasti ndodhet në fazën parahetimore dhe nuk mund të ju themi asgjë më tepër. Procedura vazhdon dhe po grumbullohen dokumentet.”,- theksojnë nga Prokuroria Publike.

Autobusi i Kompanisë “Besa Trans” më 23 nëntor të këtij viti në magjistralen “Struma” në Bullgari është përplasur në bankinën e anës së djathtë, ku si pasojë humbën jetën 45 persona, ndërsa 7 i shpëtuan fatkeqësisë.

Share: