Berisha dhe Basha grinden, Rama me shoqe e shokë…krihen!

PD Berisha dhe PD Basha, kundërshtare apo armike, në kacafytje për çelës dhe vulë, është FITORJA më e madhe për Edi Ramën! Ai ka të drejtë të lumturohet dhe të festojë se ia arriti ditëve që të mos ketë më PD dhe OPOZITË, që mund ta rrëzojnë e largojnë shpejt nga froni! Kjo është fatkeqësi apo gjëmë jo vetëm për PD, por edhe për DEMOKRACINË, Shqipërinë, Kombin…! Ne shumicën e demokratëve të thjeshtë, idealistë dhe sakrifikues na shqetëson së pari e mbi të gjitha e sotmja dhe e ardhmja e PD, e vendit, e familjeve tona si dhe e shumicës së shqiptarëve dhe aspak “fitorja” e Berishës dhe “humbja” e Bashës. Këmbëngul: të dy ata dhe ne që mbështesim PD-në e parë dhe unike jemi të gjithë HUMBËS! Ndërsa, fatkeqësisht, i vetmi FITUES është EDI RAMA!

“Arkitektët”, regjisorët, autorët apo aktorët kryesorë të kësaj katrahure në PD njihen dhe dihen mirë! Si kryetarë, si institucione dhe individë, janë Berisha dhe Basha dhe ekipet e bashkëpunëtorëve e të pushtetarëve, që përzgjodhën “me qirinj apo kandilë” dhe mbajtën përreth vetes, edhe “kur iu dogjën” për paaftësi, korrupsion, për lidhje të fshehta biznesesh me “motra dhe vëllezër socialistë”…! Për ne demokratët e vërtetë interesat më parësorë e madhorë janë Shqipëria shumë më e mirë, demokracia e vërtetë, PD- ja unike, e fortë, e aftë, për të rrëzuar Rama-rilindjen dhe për të qeverisur shumë më mirë se gjatë”13 vjetëve të saj e shumë e shumë më mirë se Rama me company gjatë këtyre mbi 8 vjetëve!

Nuk mund të harrohet se Sali Berisha, pa ia minimizuar meritat, që ndoshta i ka të barabarta, 50 me 50 me gabimet dhe dështimet, ka pasur kohë të bollshme në dispozicion. Saktësisht ka qenë 23 vjet në krye të PD, 13 vjet në krye të qeverive dhe të presidencës dhe nuk arriti ta përmbushte kërkesën e shumicës së demokratëve e të shqiptarëve në protestat popullore të viteve 1990- 1992, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa apo Zvicra!!! Po kështu, nëse bëjmë analiza objektive, të thella e të drejta, del se fajtori dhe përgjegjësi kryesor për katandisjen e PD- së në këtë gjendje është, së pari Berisha, për gabime, veprime të gabuara apo mosveprime e përzgjedhje të tij subjektive e të gabuara, një nga të cilat është edhe përzgjedhja dhe mbështetja e gjatë prej tij e Lulëzim Bashës…! Ndër përzgjedhje të tjera të gabuara mund ti numërohen ato me Arben Imamin, Preç Zogajn, Frok Çupin, Neritan Cekën, Bamir Topin, Jozefina Topallin, Astrit Patozin, Ridvan Boden, Ilir Rusmailin, Majlinda Bregun…E pra, populli thotë se njeriu gabon një herë, e shumta dy herë dhe nxjerr mësime për të ardhmen, për të mos gabuar përsëri. Vetvetiu shtrohet pyetja: duke i llogaritur gabimet me firmat piramidale, me ligjin 7501, me trajtimin e shtresës së të përndjekurve politikë dhe dekomunistifikimin e vendit, me rrëmbimin e pushtetit ekonomik nga e majta gjatë qeverisjes nga PD, në vitet 1992-1997, etj., e tj…, përse Berisha gaboi kaq shumë herë? Me këto gabime, dështime, mosveprime…, po ia vlerësoj më shumë si pa dashur, ai ka çuar bollshëm ujë në mullirin e të majtës, “vëllezërve opozitarë” dhe ka zhgënjyer boll demokratë e të djathtë…Zgjuarsia dhe përvoja nuk i kanë munguar…Atëherë: PËRSE???? Dhe për gjithë këto gabime a nuk meriton të mbajë përgjegjësi??? Unë, subjektivisht, me bindjen se ai është shkaktari kryesor për gjendjen e sotme të PD dhe për lënien e partisë në duart e Lulëzim Bashës, e kam të vështirë t’i ribesoj më dhe ta rimbështes Berishën…! Koha dhe PD kërkojnë një Berishë tjetër, por që të mos gabojë dhe humbë kaq shumë sa ai dhe Lulëzim Basha!

Po kështu, koha mbi 8 vjeçare si kryetar i PD-së, vegjetimi në krye të saj, apatia apo anemizmi i opozitarizmit partiak dhe qytetar, kalimi me nga një deklaratë sa për të larë gojën,sidomos ndaj skandaleve zgjedhore dhe korruptive si dhe të “valles treshe vëllazërore” me Vuçicin dhe Zaevin në kuadër të maskaradës së “Ballkanit të hapur”, zbulimi i lidhjeve të fshehta me Soros dhe me Rama-qeverinë, kanë “djegur”edhe Lulëzim Bashën. Para 6 vjetësh në një analizë të botuar në “GAZETA SHQIPTARE” jam shprehur se Basha mund të jetë politikan i mirë dhe lider i suksesshëm për në Hollandë dhe jo për në Shqipëri. Sipas meje, rezultatin e 25 prillit, krahas paaftësisë së Bashës dhe ekipit të tij qendror dhe të atyre në rrethe, për të menaxhuar deri në fund proçesin zgjedhor e për të mbrojtur çdo votë, e përcaktuan gati në të njejtat përmasa edhe enverizmi masiv i elektoratit me banim dhe origjinë nga Jugu(ish Zona e Parë Operative); kanabizimi dhe mafianizimi masiv; varfëria, injoranca, militantizmi i verbër majtas e një përqindje të madhe të shqiptarëve; vota- vjedhja dhe vota- blerja më shumicë; nxjerrja e parallogaritur si të pavlefshme e rreth 5% e totalit të fletëve të votimit; sy e gojëmbyllja e Kim, Sorecës dhe vëzhguesve të OSBE-ODIHR…para ndryshimeve që i bëri Rama Marrëveshjes zgjedhore të 5 qershorit 2020! Përballë një “ushtrie” të tillë, të mbështetur nga oligarkia dhe mafia shumëngjyrëshe e shumëllojëshe, të paskrupullta për të vjedhur, blerë dhe “djegur”vota, sa u duheshin për “fitorjen”, nën hundën e Bashës me shokë e shoqe, nuk mund të fitonte opozita, me organizim dhe militantizëm të zbehtë dhe një lider të brishtë si Lulëzim Basha, euforik e të rrethuar nga shumë “vjehrra”!

Në mënyrë figurative, duke mos qenë politikan dhe lider me karakter të fortë, pë të qëndruar e vepruar vazhdimisht drejtë me shtyllën e vet kurrizore, i aftë dhe i pjekur për zgjedhje dhe zgjidhje kurajoze, largpamëse, frutdhënëse, të suksesshme…, mund të them se gjatë këtyre 8 vjetëve, përveç Xhaferit dhe bashkëshortes së tij, Lulëzim Basha ka lënë të kuptohet se ka si “vjehrra”edhe të tjerë, si Sali Berishën, Gramoz Ruçin, Edi Ramën, Xhorxh Soros, Yuri Kim…Prandaj, për të gjitha këto arësye, për serialin e humbjeve dhe të “përgjumjes” gjatë 8 vjetëve të kryetarllëkut, më shumë për “vetëvrasjen politikë” të tij, përfunduar me veprimet dhe deklarimet e ditëve të fundit, nëse do të mendojë së pari, për PD-në, anëtarësinë, eloktoratin e saj si dhe për vendin dhe shumicën e shqiptarëve, Lulëzim Basha do të rifitonte plot pikë që ka humbur këto 3 vitet e fundit, duke pasur kurajon të japë dorëheqjen e parevokueshme e pa asnjë kusht dhe pretendim. Nënkuptohet se në kuvendin e 18 dhjetorit ai do të shkonte si ish kryetar, si anëtar kryesie dhe si deputet. Po të kishte kthjelltësi mendimi dhe fortësi bindjeje do të kuptonte se më e mira për PD-në, për të ruajtur unitetin e saj dhe për të hapur mundësi e rrugë për forcimin e saj, do të ishte ftesa prej tij edhe 4. 446-4.500, 4990… delegatëve në kuvendin e 11 dhjetorit, duke anulluar të gjitha shkarkimet apo përjashtimet. Sipas meje, alternativa më e mirë për të “dy copat e PD-së” do të ishte ulja në tavolinat e bisedimeve dhe kompromisi i sinqertë, demokratik mes dy liderëve dhe ushtrive të tyre, për të ruajtur një PD e për ta bërë atë të aftë të përballojë dhe rrëzojë më 2025 apo më herët Edi Ramën me gjasme qeverinë e tij! PD- ja është një dhe e tillë duhet të mbetet! Ndëshkimet, shkarkimet, përjashtimet nuk janë në natyrën e saj dhe mund të jenë të pashmangshme vetëm për “kuaj dhe pela Troje”, për “mishëra të huaj”, mercenarë e misionarë, pseudonimsa, sorosianë, gjuetarë postesh…! Në të kundërt me sherret dhe debatet plot nervozizëm dhe agresivitet, mund të ishin më të frytshëm e më të vlefshëm bisedimet me gjakftohtësi, me tolerancë, lëshime apo tërheqje reciproke, kompromisi pa nëpërkëmbur statutin e PD- së dhe pa bërë pazare për poste! Pas një debati kurajoz dhe thellësisht demokratik, analize të thellë, të sinqertë, transparente, objektive, pas njohjes dhe pranimit të gabimeve dhe përgjegjësive nga krerët e të dy palëve, mund të kalohej në zgjedhjet e reja për kryesinë e re, për kryetarin e ri apo për një Këshill (Komitet) Drejtues Provizor…Sipas gjykimit tim subjektiv, në kryesinë e re dhe Këshillin Kombëtar, do të ishte në të mirë të unitetit dhe të së ardhmes së PD-së që të mos ishin emrat as të Lulëzim Bashës dhe as të Sali Berishës. Ndërsa, sipas një propozimi që e kam publikuar rreth 1 muaj më parë, mes 29 kandidaturave të Komisionit Provizor të kuvendit të 11 dhjetorit dhe po kaq të pjesës së mbetur nga kryesia e PD-së Basha, mund të zgjidheshin 5 anëtarë të Komitetit Drejtues, me rotacion vjetor secili…Pas 5 vjetësh, nga sa kanë dhënë e treguar gjatë vitit si kryetar i komitetit drejtues, edhe janë pjekur, edhe është bërë e kuptueshme se cili është treguar me vepra më i aftë dhe më rezultativ. Me këtë institucion kolegjial PD-ja e ardhshme do të shpëtontë si nga mentaliteti dhe stili diktatorial i Enverit dhe Ramizit, ashtu edhe nga ai bajraktarist i Ramës, Berishës, Bashës…Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij 31 vjeçar në drejtimin e PD-së, të shtetit dhe qeverive gjatë mandateve qeverisës të saj, si dhe për “ringjalljen” e saj pas rreth 3 vjetëvë në gjedje kome si rrjedhojë e përgjumjes së tejzgjatur të Bashës, do të ishte masivisht e mbështetur që Berisha të zgjidhej Kryetar Nderi i përjetshëm…Arësyet e lënies jashtë Komitetit Drejtues të Berishës dhe të Bashës janë të bollshme dhe të dy i dinë, i nënkuptojnë apo i kuptojnë shumë mirë…! Por, nëse Berisha dhe Basha arrijnë të rifuten në kryesinë e re të PD-së së bashku me figura nga “brumi i mykur” apo nga “mishërat e huaj”, sidomos me sorosianë dhe “vëllezër pozitarë edramistë”, kam parandjenjën se gëzohemi kot sot e do të zhgënjehemi fort nesër!

WWW.EXPRESS.MK

Share: